Show i palaçove të establishmentit politik shqiptar!
Nga Redaksia – Kur shkrihen 15 bashki dhe vihet në diskutim e drejta e qytetarëve për të votuar, heshtin; kur preken kartonët në Kuvend, shpërthen lufta!
Mirë se erdhët në cirkun politik shqiptar, ku demokracia kujtohet vetëm kur u rrezikohet karrigia politikanëve!
Çfarë spektakli në Kuvendin e Shqipërisë! Deputetët përplasen, fluturojnë shishe uji e letra, Garda futet në mes dhe kryeparlamentari kërkon qetësi, sikur të jetë arbitër në një ndeshje boksi.
Por lind një pyetje që establishmenti politik shqiptar nuk duket se ka shumë dëshirë ta dëgjojë:
Ku ishte gjithë ky heroizëm demokratik kur u shkriheshin 15 bashki dhe qytetarëve u mohohej mundësia për të votuar?
Pse nuk pamë të njëjtin teatër, të njëjtën revoltë dhe të njëjtin mobilizim për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre?
Kur bëhet fjalë për kartonët në Kuvend, ngrihen në këmbë, përplasen dhe bëjnë namin. Kur bëhet fjalë për votën e qytetarit, papritur demokracia kthehet në çështje procedurash, deklaratash dhe justifikimesh politike!
Opozita bërtet për demokracinë, mazhoranca flet për rregulloren, ndërsa qytetari pyet: Po vota ime ku përfundoi?
Duket se në Shqipëri kartoni i deputetit ka më shumë vlerë se vota e qytetarit. Për kartonin luftohet me shishe uji, ndërsa për të drejtën e popullit për të votuar mjafton një konferencë shtypi!
Dhe tani na shfaqen të gjithë si gladiatorë të demokracisë! Njëri hedh letra, tjetri mbron kartonët, një tjetër thërret për qetësi dhe Garda ruan skenën.
Po populli? Populli është spektatori që paguan biletën me taksat e veta!
Nëse demokracia mbrohet me kaq zjarr për një votim në Kuvend, pse nuk mbrohet me të njëjtin zjarr kur vihet në diskutim e drejta e qytetarëve për të votuar?
Mos vallë demokracia e establishmentit shqiptar fillon te karrigia e deputetit dhe mbaron te dera e Kuvendit?
Në këtë cirk politik, të gjithë kërkojnë rolin e heroit, por askush nuk dëshiron të marrë përgjegjësi për gjendjen ku është katandisur besimi i qytetarëve te politika.
Shfaqja vazhdon, kartonët fluturojnë, politikanët bëjnë spektakël dhe qytetari mbetet pa përgjigje!
© Copyright of PatriotikMedia.al


