Nga: PatriotikMedia.al – Bazuar në analizën e Avokat Altin Goxhajt
A i ka interesuar ndonjëherë realisht Vuçiçit që serbët e Kosovës të integrohen në Parlament, Qeveri, Komuna, Polici, Gjyqësor apo çdo strukturë tjetër të shtetit të Kosovës? Apo integrimi i tyre do të përbënte fundin e propagandës së tij dhe do t’i prishte balancat që i duhen për të mbetur “i forti i Ballkanit” në sytë e ndërkombëtarëve?
Vuçiç: sa më shumë “konflikt”, aq më shumë përfitim ndërkombëtar
Nëse serbët e Kosovës do të ishin të integruar, Vuçiç do të mbetej pa kartën kryesore që luan para Brukselit, Moskës, Pekinit apo Uashingtonit: atë të “serbëve të shtypur nga shqiptarët”.
Pra, ai nuk do të kishte më arsye për të mbajtur Kosovën si çështje të hapur, dhe kjo do të rrëzonte komplet platformën e tij politike nacionaliste për të cilën mban nën kontroll gjithë Serbinë.
Një komunitet serb i integruar do të do të rrëzonte mitin e viktimizimit, do të rrëzonte pretekstin e “mosnjohjes” dhe do t’i detyronte ndërkombëtarët t’i kërkonin pranimin de facto të realitetit në Kosovë. Dhe këtë Vuçiç nuk mund ta lejojë, sepse humb çelësin e kontrollit të krizës së përhershme, që e ushqen me sukses për dekada.
31 Korriku 2022 – një skemë perfekte për Vuçiçin?
Kur Albin Kurti vendosi të nisë zbatimin e reciprocitetit për targat, e dinte që po shkaktonte një përplasje që do të çonte në largimin masiv të serbëve nga institucionet. A ishte kjo e papritur? Absolutisht jo. Ishte një efekt i llogaritur që i duhej dhe Vuçiçit, dhe vetë Kurtit.
Sepse Vuçiç fitoi legjitimitet ndërkombëtar për të thënë: “Serbët nuk jetojnë dot në një shtet shqiptaropërëndimor”, ndërsa Albini fitoi heroizmin e rremë nacionalist, për të cilin më pas mori dekorata dhe duartrokitje nga ata që po e përdorin si përçues të konfliktit të përjetshëm.
Kështu ndërtohet një simbiozë: Vuçiç – Kurti
Në fakt, këtu kemi të bëjmë me një skenar të orkestruar më së miri, ku njëri nxit krizën dhe tjetri e përforcon.
Vuçiç paraqitet si “viktimë e shqiptarëve të egër”, Albini paraqitet si “shqiptari që nuk lëshon pe”, por në thelb të dy bashkë ushqejnë një krizë që i duhet secilit për t’u mbajtur në pushtet dhe për t’u paraqitur si “lider të pamposhtur” para popujve të tyre.
Kush e paguan koston? Populli!
Si gjithmonë në historinë e Ballkanit, liderët ushqehen me konfliktin dhe popujt e paguajnë me jetë, izolim dhe varfëri.
Shqiptarët dhe serbët në Kosovë po përdoren si monedhë negociate, ndërkohë që Vuçiç tallet me BE-në, kurse Kurti mban fjalime për “shtet sovran” por nuk kontrollon as veriun.
Koha për t’u zgjuar dhe për të parë skenën nga lart
Nëse populli shqiptar në Kosovë dhe vetë qytetarët në Serbi nuk e kuptojnë se konflikti i përhershëm i shërben vetëm politikanëve që kanë frikë nga paqja dhe integrimi real, atëherë do të mbeten të kapur në një cikël të pafund të manipulimit.
Një Vuçiç ka nevojë për një Albin, dhe një Albin ka nevojë për një Vuçiç. Sepse vetëm kështu secili ruan pushtetin e vet. Por kjo nuk është zgjidhje për asnjë popull.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.