Silvana Begaj: “Të jesh dele nuk do të thotë të kesh formën e saj” – një reflektim mbi turmën, propagandën dhe shpopullimin …

Nga Silvana Begaj:

Të jesh dele nuk do të thotë domosdoshmërisht të kesh formën e saj. Mjafton të mendosh, të flasësh dhe të veprosh si turma.

Një dele e vërtetë beson atë që i thuhet, ndjek atë që i tregohet, admiron atë që i serviret dhe urren atë që i caktohet si armik. Zakonisht, pikërisht atë që i tregon çobani.

Nuk pyet. Nuk thellohet. Nuk përpiqet të kuptojë ku mbaron liria e individit për jetën e vet dhe ku fillon pushteti i dikujt tjetër mbi jetën, të ardhmen dhe bukën e tij.

Delet ndihen të sigurta vetëm në tufë.

Ecën turma, ecin edhe ato. Ndryshon drejtim turma, ndryshojnë edhe ato. Pa pyetur kurrë: Pse po shkojmë këtej? Kush po na drejton? Dhe kujt i intereson që ne të mos mendojmë?

Ndoshta kjo shpjegon edhe një pjesë të tragjedisë së shpopullimit masiv të vendit tonë.

Ikën shumë prej atyre që kërkojnë mundësi, dinjitet dhe perspektivë, ndërsa debati publik shpesh mbetet peng i zhurmës, banalitetit dhe skandaleve të ditës.

Njerëzit merren me jetën e tjetrit, me disa “degjenerime” të servirura për konsum publik dhe, brenda pak orësh, harrojnë problemet që ua përcaktojnë realisht jetën: varfërinë, padrejtësinë, mungesën e meritokracisë dhe mungesën e perspektivës.

Një skandal mund të bëhet kryefjala e ditës, ndërsa një problem i madh shoqëror të zhduket nga vëmendja.

Sepse një turmë që nuk pyet është shumë e lehtë për t’u hutuar.

I jep një skandal dhe harron problemin.

I jep një armik dhe harron përgjegjësin.

I jep diçka për të urryer dhe ndihen të plotësuar.

Në këtë mënyrë, debati zhvendoset nga ajo që prek jetën e qytetarit tek ajo që prodhon më shumë zhurmë.

Dhe ndërsa turma debaton, gjykon dhe përplaset, pyetjet e rëndësishme mbeten aty: Pse po ikin njerëzit? Pse kaq shumë të rinj nuk e shohin të ardhmen e tyre këtu? Kush përfiton nga një shoqëri e përçarë dhe e zhytur vazhdimisht në konflikte dytësore?

Një tufë delesh që, duke menduar se po gjykon të tjerët, mund të jetë duke dorëzuar pa e kuptuar lirinë dhe të ardhmen e vet.

Sepse liria nuk humbet gjithmonë me një urdhër.

Ndonjëherë humbet pak nga pak, sa herë që njeriu heq dorë nga pyetja, nga dyshimi dhe nga e drejta për të menduar vetë.

Dhe kur të menduarit zëvendësohet nga turma, individi bëhet thjesht pjesë e saj.

Sa shumë dele të pamerituara paske pasur, o Nënë Shqipëri!

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top