SPAK në krah të Qeverisë për shkatërrimin e Forcës Detare

Nga Artur Meçollari:

Rekord botëror: 5 vjet e 6 muaj hetime.

Një muaj më parë, GJKKO e Shkallës së Parë i ktheu për regjistrim prokurorit Arben Kraja kallëzimin e një qytetari ndaj Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për shpërdorim detyre, me argumentin se nuk kishte bërë asnjë verifikim. Kallëzimi lidhet me dekretin nr. 398, datë 2 dhjetor 2014, të Begajt për nxjerrjen nga Plani i Përhapjes të 45 ha në Sazan për z. Kushner.

Prokurori Kraja, edhe pse në dosje mbante vetëm kallëzimin penal dhe vendimin e mosfillimit të hetimit, e ka apeluar vendimin e GJKKO-së së Shkallës së Parë në Apel.

Ky nuk është rasti i vetëm. Prej 5 vitesh, SPAK zvarrit hetimin e disa pronave të Forcës Detare të kallëzuara nga ana ime dhe të regjistruara kryesisht. Jo vetëm kaq, por SPAK nuk më kthen më as përgjigje për statusin e hetimeve.

Dy kallëzimet penale përfshinë:

  • Baza detare e Limionit. Hetimi i regjistruar në prill 2021. Vendosur nën sekuestro preventive në shkurt 2023. Dosja nr. 109/2021. Hetimi vijon, besoj. Se informacion nuk kam.
  • Baza detare e Shëngjinit. Hetimi i regjistruar në prill 2021. Vendosur nën sekuestro preventive në vitin 2023. Dosja nr. 108/2021. Hetimi vijon, besoj. Se informacion nuk kam.
  • Prona 2019 në Porto Romano. Zaptuar nga Porti MBM. Në hetim kryesisht nga SPAK. Asnjë informacion. Dosja nr. 109/2021. Qeveria ia dha pas 3 vjetësh zaptimi me kontratë qiraje po Portit MBM, që e kishte zaptuar prej 3 vitesh. Ndërsa hetimi vijon, Qeveria e jep me qira. SPAK hesht.
  • Tjetërsimi i 133 ha nga 200 ha të katër bazave detare, Shëngjin, Kepi i Palit, Pashaliman dhe Porto Palermo, në vitin 2016. Dosja nr. 108/2021. Vijon hetimi, besoj. Informacion nuk kam.
  • Baza detare e Pashalimanit. Sipas procedurës së vitit 2016, tashmë nën hetim, Bajram Begaj ka firmosur nxjerrjen nga Plani i Përhapjes dhe Vendosjes të 80 ha nga 94 të bazës. Ky veprim bëhet ndërsa vijon hetimi i procedurës së vitit 2016 dhe NATO ka miratuar Pashalimanin si bazë të saj. Bajrami i ka lënë vetëm 14 ha Forcës Detare dhe NATO-s.
  • Ishulli i Sazanit. Edhe pse ka kallëzim dhe vendim të GJKKO-së së Shkallës së Parë, SPAK e apelon dhe nuk pranon ta hetojë.

Nuk ka ngelur më gjë. Të gjitha pronat e Forcës Detare gati për dhurim. SPAK pret të parashkruhen çështjet nën hetim, se të përfshijë të tjera në hetim nuk ia ka ndonjë plan.

Postimi i datës 29 korrik 2026

Sazani, si dhe Zvërneci, nën hetim nga SPAK

Kallëzim penal ndaj Bajram Begajt për veprën penale të “dorëzimit të territorit” dhe “shpërdorimit të detyrës” (nenet 208 dhe 248 të Kodit Penal).

GJKKO e Shkallës së Parë detyron SPAK të regjistrojë procedimin penal, pasi prokurori Arben Kraja vendosi mosfillimin e tij.

Një qytetar shqiptar, emrin e të cilit për arsye etike nuk mund ta përmend, pasi nuk kam konfidencë dhe autorizim prej tij, në datën 23 qershor 2026 ka dorëzuar në SPAK një kallëzim penal kundër Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për veprën penale të “dorëzimit të territorit” dhe “shpërdorimit të detyrës” (nenet 208 dhe 248 të Kodit Penal).

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka nxjerrë nga Plani i Veprimit dhe Përhapjes së FA 45 hektarë territor të ishullit të Sazanit, në total 650 hektarë, në interes të zhvillimit të projektit turistik luksoz të Jared Kushner. Kallëzimi përfshin edhe çdo zyrtar tjetër ushtarak apo civil të përfshirë në procedurën e nxjerrjes së dekretit të Presidentit.

SPAK, në datën 25 qershor 2026, regjistron kallëzimin penal me nr. 77, me prokuror Arben Krajën. SPAK, me vendimin e datës 29 qershor 2026, ka arsyetuar “mosfillimin e procedimit penal” me argumentin se kallëzimi “nuk përbën në vetvete asnjë element bindës të mjaftueshëm për regjistrimin e një procedimi penal ndaj Presidentit të Republikës Bajram Begaj”.

Kallëzuesi i ka bërë kërkesë kreut të SPAK, Klodian Braho, për ndryshimin e prokurorit të çështjes, por kërkesa e tij nuk është pranuar.

Kallëzuesi, në datën 7 korrik 2026, ankimon vendimin e Prokurorit të SPAK, Arben Kraja, për “mosfillimin e procedimit penal” në GJKKO e Shkallës së Parë.

Në datën 21 korrik 2026, me vendimin nr. 501, gjyqtarja e GJKKO-së së Shkallës së Parë, Atalanta Zeqiraj, vendosi “shfuqizimin e vendimit ‘për mosfillimin e procedimit penal’ të datës 29 qershor 2026 nga SPAK” dhe “urdhërimin e SPAK për regjistrimin e procedimit penal dhe të kryejë veprimet hetimore të cituara nga gjykata, si dhe çdo veprim tjetër që do të çmohet i nevojshëm në dinamikën e hetimit”.

Gjyqtarja Atalanta Zeqiraj argumenton vendimin e saj për sa më poshtë:

“Në dosjen e përcjellë nga Prokuroria e Posaçme, rezulton se gjendet vetëm kallëzimi penal dhe vendimi i mosfillimit të procedimit penal. Nuk rezulton që nga ana e organit procedues të jetë kryer ndonjë veprim verifikues referuar thelbit të kallëzimit penal dhe konkretisht pretendimit lidhur me daljen nga plani i përhapjes i ishullit të Sazanit. Në rrethana të tilla, gjykata çmon se vetëm pas verifikimit të elementëve të cituar më lart mund të konkludohet nëse ka elementë të ndonjë vepre penale apo jo”.

SPAK ka 10 ditë kohë për ankimimin e këtij vendimi në GJKKO të Apelit, nga e nesërmja e marrjes së njoftimit.

Pra, prokurori i SPAK, Arben Kraja, sipas gjykatës, nuk kishte bërë asnjë verifikim shkresor apo me dëshmitarë përpara se të merrte vendimin e mosfillimit të procedimit.

Tashmë, ai do të bëjë verifikimet e nevojshme dhe do të duhet të thërrasë si persona në dijeni shumë zyrtarë, ushtarakë dhe civilë.

Ndër ta, SPAK do t’i bëjë edhe një seancë të katërt pyetjesh Bajram Begajt në zyrën e tij, pas tre të parave lidhur me procedimet penale për bazën detare të Limionit dhe të Shëngjinit.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top