SKANDAL: Qeveria paguan 880 milionë euro për kreditë e Oligarkëve me Paratë e Shqiptarëve …

Nga Redaksia:

Kompanitë private nuk po i shlyejnë kreditë e quajtura “sovrane” me vlerë totale rreth 880 milionë euro, të marra në bankat e përzgjedhura nga qeveria. Sipas kontratave të huasë, në rast mosshlyerjeje detyrimi kalon te qeveria si garantuese, e cila prej vitesh po i mbulon këto pagesa.

Kjo do të thotë se në rast sekuestrimi mund të konfiskohen kryesisht pasuri që në fakt janë pronë shtetërore, të dhëna në përdorim gjatë viteve 2015–2025.

Ja si qeveria paguan interesat e kredive të oligarkëve

Me vendime qeverie, në kontratat koncesionare dhe të investitorëve strategjikë janë përfshirë dy mekanizma që favorizojnë kompanitë private dhe investitorët:

  • Për të marrë kredi në banka, kompanitë lejohen të lënë kolateral pasuri shtetërore, si toka, troje, objekte apo kontrata koncesionare që u janë dhënë nga qeveria për periudha 20–35 vjeçare.
  • Nëse gjatë zbatimit të projekteve në këto PPP apo investime strategjike privatët nuk arrijnë të paguajnë interesat e kredive bankare, ato paguhen nga qeveria si garantuese.

Nëse nuk paguan as qeveria, atëherë bankat mund të sekuestrojnë pasuri të shtetit, pasi për kreditë e marra nga oligarkët dhe koncesionarët dorëzanë ka dalë vetë qeveria.

Buxheti i shtetit si “hambar privat”

Përveç dhurimit të pasurive publike, sipas kritikëve kjo skemë e ka kthyer edhe buxhetin e shtetit në një “hambar privat”, nga ku përfitojnë miliona euro kompani të lidhura me koncesione dhe investime strategjike.

Në mbledhjen e qeverisë së datës 6 mars 2026, u miratua një vendim që detyron Agjencinë e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera të njoftojë kompanitë private për shlyerjen e kredive të marra me garanci shtetërore.

Vlera totale e këtyre kredive arrin rreth 880 milionë euro, ndërsa në shumë raste pagesat po mbulohen nga buxheti i shtetit.

Nëse kompanitë nuk fillojnë shlyerjen e detyrimeve brenda një muaji nga njoftimi, qeveria paralajmëron se do të kërkojë urdhra ekzekutimi në gjykatë dhe sekuestrimin e pasurive të vendosura si garanci.

Si u krijua skema e garancive

Vendimi i qeverisë lidhet me pasojat financiare të marrëveshjeve të nënshkruara ndër vite me kompani private që kanë përfituar kontrata publike.

Gjatë periudhës 2015–2025, qeveria dhe parlamenti kanë miratuar kontrata për koncesione, PPP dhe investime strategjike, ku shteti ka dalë garant për kreditë që kompanitë kanë marrë në banka për realizimin e projekteve.

Por shumë prej këtyre kompanive nuk po i shlyejnë kreditë, duke bërë që qeveria të paguajë detyrimet në vend të tyre.

Përballë një detyrimi bankar që arrin rreth 880 milionë euro, qeveria kërkon që detyrimet të rikuperohen përmes Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera.

Paralajmërimi për sekuestrim

Megjithatë, deri tani shumë kompani nuk kanë filluar shlyerjen e detyrimeve, ndërsa qeveria vazhdon të paguajë çdo muaj interesat dhe këstet e kredive.

Për këtë arsye është firmosur një vendim që paralajmëron sekuestrimin e aseteve që kompanitë kanë regjistruar në kadastër dhe që janë lënë peng në Agjencinë e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera.

Por këto kompani kanë lënë si garanci vetëm 20–30 për qind të vlerës së kredive që kanë marrë në banka me garanci shtetërore.

Lëvizje të dyshimta me pasuritë

Pas marrjes së kredive, disa pronarë kanë kryer edhe tjetërsime pasurish dhe aksionesh, përmes shitjeve, dhurimeve apo pakësimeve fiktive të kapitalit, veprime që janë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Në shumë raste, pasuritë e regjistruara si kolateral janë toka, troje, pyje apo objekte shtetërore, të dhëna në përdorim përmes kontratave enfiteoze, PPP apo marrëveshjeve të tjera të investimeve strategjike.

Kjo do të thotë se në rast sekuestrimi mund të konfiskohen kryesisht pasuri me vlerë më të ulët ose pasuri që në fakt janë pronë e shtetit, ndërsa buxheti publik do të vazhdojë të mbulojë një pjesë të konsiderueshme të kredive që kompanitë private kanë marrë në banka me garanci të qeverisë. /Telegraf

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *