Denoncimi: Që policia e Sokol Bizhgës dhe “bizhgave” të tjera që do të vijnë ta ketë njëherë e mirë të ngulitur në kokë ligjin dhe jo Maliqin …

Nga Andrea Bregu:

Për ta mbyllur njëherë e mirë historinë me “Maliqin” e policisë, që në çdo protestë, aktivitet apo tubim publik bëhet rrugë mungesa e numrave të identifikimit, çdo qytetar – protestues apo jo – duhet të ketë parasysh një fakt të thjeshtë: çdo punonjës i Policisë së Shtetit është i detyruar me ligj të mbajë numër identifikimi gjatë ushtrimit të detyrës.

Këtë nuk e them unë, por vetë ligji që është në fuqi prej dy vitesh, si dhe vendimet e qeverisë që përcaktojnë qartë detyrimin për mbajtjen e numrit identifikues nga çdo efektiv policie gjatë ushtrimit të funksionit.

Bëhet fjalë për Ligjin nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, konkretisht nenin 10, pika 2 dhe nenin 135, pika 4, si dhe për Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 55, datë 27.01.2016, pika 5.1. Këto dispozita janë të qarta dhe nuk lënë asnjë hapësirë për interpretime.

Në protestën e opozitës të datës 20 shkurt, avokati Altin Goxhaj konstatoi se në terren kishte efektivë policie pa numra identifikimi, ndryshe nga sa e kërkon ligji. E njëjta shkelje u vu re edhe sot gjatë protestës së banorëve të Rrjollit, ku sërish u konstatuan policë pa identifikim.

Detyrimi për identifikimin e punonjësve të Policisë së Shtetit nuk është formal. Ai ekziston pikërisht për të garantuar përgjegjësi ligjore dhe penale në rast se një efektiv kryen veprime që përbëjnë shkelje të ligjit gjatë ushtrimit të detyrës.

Për rrjedhojë, çdo veprim i kryer nga punonjës të policisë që nuk janë të identifikueshëm përmes numrit të identifikimit konsiderohet i paligjshëm dhe në kundërshtim me ligjin.

Dhe për ju në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, veçanërisht në sektorin e krimeve që po monitoroni këtë postim: bëni mirë ta shpërndani edhe te kolegët tuaj, që të mos përsërisin më shkelje të hapura të ligjit.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *