VIDEO: Qesharake! Akuzohet për korrupsion nga SPAK, hiqet nga posti dhe shpallet e “ndershme”?

Nga Redaksia:

Ish-zëvendëskryeministrja dhe ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka reaguar për herë të parë publikisht pas akuzave të ngritura ndaj saj nga SPAK, i cili ka kërkuar edhe arrestimin e saj për çështje që lidhen me dyshime për korrupsion dhe abuzime me detyrën.

Deklarata e saj u bë gjatë ceremonisë së prezantimit të Enea Karakaçit në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, institucion që Balluku e drejtoi për vite me radhë dhe ku u menaxhuan disa prej projekteve më të mëdha publike në vend.

Në fjalën e saj, Balluku u përpoq të theksonte se largohet nga detyra me krenari për punët e realizuara, duke deklaruar se ndihet krenare për “veprat e lëna në Shqipëri”. Por kjo deklaratë vjen në një moment kur realiteti në terren duket krejt tjetër.

Vetëm në javët e fundit, një sërë rrugësh dhe aksesh kryesore të ndërtuara ose të rikonstruktuara gjatë mandatit të saj janë shembur, duke krijuar probleme serioze për qarkullimin dhe duke dëmtuar rëndë jetën e përditshme të qytetarëve.

Një prej rasteve më të rënda ishte shembja e aksit Librazhd–Prrenjas, një segment strategjik që lidh juglindjen e vendit me pjesën tjetër të Shqipërisë. Rruga u bllokua për më shumë se një javë, duke paralizuar qarkullimin dhe duke shkaktuar kaos për mijëra drejtues mjetesh dhe transportues.

Edhe sot, sipas raportimeve nga terreni, ky aks nuk ndodhet ende në gjendjen optimale për qarkullim, çka ngre pikëpyetje serioze mbi cilësinë e investimeve publike të realizuara gjatë drejtimit të ministrisë nga Balluku.

Gjatë ceremonisë së prezantimit të ministrit të ri, ajo theksoi se Enea Karakaçi është një produkt i administratës së ministrisë dhe një shembull për zhvillimin profesional brenda institucionit.

“Enea nuk është shoku im dhe as e kam sjellë unë. Unë e kam gjetur këtu dhe ai duhet të jetë frymëzim për secilin prej jush, sepse tek ai çdo burrë dhe grua në këtë ministri duhet të shohë mundësinë e progresit të vet”, deklaroi Balluku.

Në vijim, ish-ministrja foli për herë të parë edhe për hetimin e nisur ndaj saj nga SPAK, duke deklaruar se ka marrë vendimin të mos komentojë publikisht çështjen për shkak të natyrës juridike të saj.

“Kam marrë vendim personal që të hesht për një çështje juridike, sepse ajo nuk zgjidhet as në rrjetet sociale dhe as në studiot televizive, por duhet të ndjekë rrjedhën që parashikon Kushtetuta dhe ligji”, u shpreh ajo.

Balluku pretendoi gjithashtu se ka qenë mbështetëse e reformës në drejtësi dhe e institucioneve të reja që dolën nga kjo reformë, duke theksuar se drejtësia duhet të jetë e pavarur dhe të rikthejë besimin e qytetarëve.

“Drejtësia duhet të jetë e lirë dhe e pavarur. Besoj se drejtësia e re, si produkt i reformës në drejtësi dhe i vizionit për një Shqipëri evropiane, duhet të rikthejë besimin e qytetarëve”, tha ajo.

Megjithatë, ajo shmangu çdo koment mbi prokurorët dhe gjyqtarët që po trajtojnë çështjen, duke deklaruar se secili duhet të bëjë detyrën e vet pa u ndikuar nga debatet publike.

“Nuk do të përmend prokurorë apo gjyqtarë. Ata duhet të bëjnë detyrën e tyre, ashtu siç kam bërë edhe unë timen”, deklaroi Balluku.

Ish-zv.kryeministrja mohoi gjithashtu akuzat që lidhen me pasuritë e saj, të cilat sipas raportimeve janë pjesë e hetimeve të drejtësisë.

“Nuk kam dhe s’kam lidhje me korrupsionin. Nuk kam as 300, as 30 dhe as 3 apartamente. Nuk kam jahte, limuzina, helikopterë apo avionë. Të gjitha këto janë pjesë e një gjyqi publik që bëhet shumë lehtë në këtë vend”, u shpreh ajo.

Por për shumë qytetarë, paradoksi mbetet i madh: një zyrtare e akuzuar nga drejtësia për korrupsion largohet nga posti me ceremoni dhe me fjalime falënderimi, ndërsa pasojat e politikave dhe investimeve të saj vazhdojnë të rëndojnë mbi qytetarët dhe buxhetin e shtetit.

Në fund të fundit, pyetja që shtrohet sot është e thjeshtë:
a mund të quhet “largim i ndershëm” kur mbi një ish-zyrtare të lartë rëndojnë akuza serioze nga vetë drejtësia që ajo thotë se e mbështet?

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *