SKANDAL: Kur gazetaria kthehet në gjobëvënie – Rasti që turpëron median shqiptare …

Misioni i gazetarit është të informojë, të hetojë dhe të mbrojë interesin publik. Por kur informacioni përdoret si mjet presioni për përfitim personal, kufiri mes gazetarisë dhe shantazhit zhduket

Nga Redaksia:

Në një vend ku liria e fjalës shpesh është nën presion dhe media përballet me kontroll ekonomik e politik, lajmet e fundit rrezikojnë jo vetëm besimin e publikut, por edhe integritetin e profesionit.

Gazetari dhe pronari i një portali online, Elio Laze, është arrestuar nga Policia e Tiranës me akuzën e “Shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”. Ai dyshohet se i kishte kërkuar 20 mijë euro një zyrtari të Institutit të Shëndetit Publik, Klaus Shaqiri. Denoncimi është bërë nga vetë zyrtari, ndërsa gjatë arrestimit janë sekuestruar 5 mijë euro cash. Prokuroria e ka ngarkuar me veprën penale të gjobëvënies, një akuzë e cila, nëse provohet, godet rëndë imazhin e gazetarisë shqiptare.

E kaluara problematike e Lazes

Ky nuk është rasti i parë që emri i Lazes lidhet me ligjin. Që nga 28 maji 2021, gazetari ka qenë objekt hetimi, pasi u arrestua pas mesit të natës me armë dhe drogë.

Gjatë kontrollit në automjetin e tij, policia gjeti në çantën e dorës një pistoletë dhe lëndë narkotike. Vetë Laze pranoi para oficerit të Policisë Gjyqësore se kishte konsumuar hashash. Ai deklaroi:

“Mbrëmë, me datë 27.05.2021, rreth orës 22.00 dola nga zyra e punës për t’u qetësuar dhe mora rrugën drejt Elbasanit. Pranë kilometrit 29, pranë Lapidarit të vjetër, ndalova për të konsumuar një cigare hashash dhe vura se pak më tutje qëndronin dy djem të rinj, të cilët po konsumonin hashash.”

Në polici, Laze pranoi gjithashtu se kishte bërë pazare për blerje arme ndërsa ndodhej nën efektin e drogës:

“Duke qenë nën efektin e lëndëve narkotike, unë kam blerë një armë.”

Kur fjala kthehet në presion

Misioni i gazetarit është të informojë dhe të mbrojë interesin publik. Por kur informacioni përdoret si mjet presioni për përfitim personal, kufiri mes gazetarisë dhe shantazhit zhduket.

Rasti i Lazes është shembull i qartë se si portale të caktuara përdorin fjalën si armë, duke shkaktuar dëm të dyfishtë: humbet besimi i publikut dhe shkatërrohet reputacioni i medias.

Një plagë e vjetër e sistemit mediatik

Pavarësisht përgjegjësisë individuale, fenomeni i portaleve anonime, i lajmeve të porositura dhe përdorimi i informacionit si armë është bërë realitet. Mungesa e transparencës financiare dhe e standardeve profesionale krijon terren për keqpërdorime të tilla.

Drejtësia duhet të flasë

Çështja tani i takon gjykatës, por një gjë është e sigurt: çdo rast i tillë dëmton rëndë besimin e publikut tek media. Shqipëria ka nevojë për media të forta, të pavarura dhe me integritet, jo për portale që përdorin fjalën si mjet shantazhi. Sepse kur gazetari kthehet në gjobaxhi dhe kriminal, viktima e parë është e vërteta.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *