Pas kërcënimeve të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për një luftë tregtare kundër vendeve europiane që kundërshtojnë përpjekjen e tij për të blerë Grenlandën, Europa po shqyrton tani përdorimin e një “bazuke tregtare” – një instrument i fuqishëm dhe shumë-shtresor në arsenalin e saj të masave ekonomike parandaluese.
Nga Redaksia:
Presidenti amerikan Donald Trump riktheu ambiciet e tij për të kontrolluar Grenlandën, një territor strategjik që mbart resurse natyrore dhe pozicion gjeopolitik të jashtëzakonshëm. Në një mesazh drejtuar Norvegjisë, ai lë të kuptohet se dështimi për të marrë Çmimin Nobel për Paqen nuk e pengon të mendojë për interesat e Amerikës.
Europa reagoi menjëherë, duke paralajmëruar përdorimin e një “bazuke ekonomike” – një arsenal masash tregtare dhe financiare që mund të godasin Shtetet e Bashkuara në mënyrë të fuqishme. Por kërcënimet europiane, megjithë zhurmën diplomatike dhe retorikën e fortë, nuk mund të harrojnë ose ndalojnë qëllimin amerikan: të vendosë duart mbi Grenlandën, një “xhevahir strategjik” që mund të ndryshojë balancën gjeopolitike në Arktik.

Analistët e shohin qartë: kjo nuk është thjesht një grindje për territor, por një lojë e ftohtë e fuqisë ku ekonomia, politika dhe kërcënimet përdoren si armë për të arritur objektiva strategjikë. Europa mund të kërcënojë me tarifa dhe sanksione, por Trump duket i vendosur: Grenlanda është një objektiv që nuk do të harrohet.
Në fund të ditës,duhet kuptuar qartë: kur Uashingtoni vendos synime, as kërcënimet më të mëdha të Europës nuk mund t’i ndalojnë planet strategjike amerikane.
