Gjykata Evropiane: Vendet e BE-së duhet të njohin martesat e të njëjtit seks, për një “jetë familjare normale”…

Nga Redaksia:

Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Europian ka sqaruar se legjislacioni për martesën mbetet kompetencë kombëtare e çdo shteti anëtar, por thekson se, edhe kur ushtron këtë kompetencë, një shtet duhet të respektojë të drejtën europiane — përfshirë të drejtën e qytetarëve të BE-së “për të pasur një jetë familjare normale” kur ata përdorin lirinë e lëvizjes dhe të qëndrimit brenda Unionit.

Sipas vendimit, kur një çift qytetarësh të BE-së krijon jetë familjare në një shtet tjetër anëtar, në këtë rast përmes një martese të ligjshme, ata duhet të kenë garanci se mund ta vazhdojnë këtë jetë familjare edhe pas kthimit në vendin e tyre të origjinës.

Gjykata paralajmëron se refuzimi për të njohur një martesë të ligjshme të dy qytetarëve të BE-së të së njëjtës gjini, e lidhur në një shtet tjetër anëtar, mund të shkaktojë probleme serioze administrative, profesionale dhe private — duke i detyruar bashkëshortët të trajtohen si beqarë në vendin nga vijnë.

Megjithatë, gjykata me seli në Luksemburg nënvizon se shtetet anëtare gëzojnë një hapësirë vlerësimi për mënyrën se si do të njohin këto martesa. Transkriptimi i certifikatës së martesës së huaj është një nga mundësitë, por shtetet mund të vendosin edhe mekanizma të tjerë, për sa kohë që janë të barasvlershëm me mënyrën si njihen martesat heteroseksuale.

Forma e zgjedhur nuk duhet të pamundësojë apo të vështirësojë tej mase procesin e njohjes, dhe nuk duhet të diskriminojë çiftet e së njëjtës gjini për shkak të orientimit të tyre seksual.

Vendimi sqaron gjithashtu se detyrimi për të njohur një martesë të kryer në një shtet tjetër të BE-së nuk cenon identitetin kombëtar dhe as rendin publik të vendit të origjinës, pasi nuk e detyron atë shtet të parashikojë martesat e të njëjtës gjini në legjislacionin e tij të brendshëm.

Ky qëndrim i Gjykatës Evropiane vjen si përgjigje për një çështje prejudiciale nga Gjykata e Lartë Administrative e Polonisë, e cila duhet të vendosë për rastin e një çifti polak të së njëjtës gjini që u martua në Gjermani — ku njëri prej tyre ka edhe shtetësi gjermane — dhe që më pas kërkoi transkriptimin e martesës në Regjistrin Civil të Polonisë, përpara se të zhvendoseshin atje.

Kërkesa u refuzua dhe çifti e ankimoi vendimin në gjykatat polake, të cilat i janë drejtuar Gjykatës së BE-së për të vlerësuar nëse një ligj kombëtar, që nuk njeh martesat e të njëjtës gjini të kryera në një shtet tjetër anëtar dhe nuk lejon transkriptimin e tyre, është i përputhshëm me të drejtën europiane.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *