Nga Redaksia:
Edhe nga Gjermania e madhe po largohen këtë vit rekord njerëzish. Shifrat e vitit 2025 tregojnë se ikja nga ky vend ka arritur nivele të larta, duke shqetësuar jo vetëm ekonominë por edhe stabilitetin social dhe politik.
Ku shkojnë gjermanët dhe pse?
Sipas të dhënave jozyrtare, Zvicra mbetet destinacioni kryesor për gjermanët. Deri në fillim të vitit 2024, mbi 324,000 persona me shtetësi gjermane jetonin në Zvicër, rreth 3% më shumë se një vit më parë. Shkaktari kryesor është ekonomia: paga më e lartë, mundësi më të mira punësimi, klima më e favorshme dhe kushte të shkëlqyera për jetesë dhe shkollim. Qytete si Gjeneva dhe Cyrihu konsiderohen ndër më të mirat për cilësinë e jetës.
Vendi i dytë më i preferuar është Austria, ku gjatë vitit 2024 jetonin 232,000 gjermanë, një rritje prej 23.4% krahasuar me një vit më parë. Kryeqyteti Vjenë renditet gjithashtu ndër qytetet me kushtet më të mira të jetesës në Europë.
Në vend të tretë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndjekur nga Spanja, Holanda, Franca, Belgjika dhe Suedia. Në total, gjatë vitit 2024, rreth 1,264,009 persona kanë lënë Gjermaninë, përfshirë mbi 270,000 qytetarë gjermanë të lindur në vend. Shumica e largimeve janë vullnetare dhe ndodhin për arsye ekonomike, profesionale, sociale dhe klimatike.
Vitet 2025 dhe tendencat e reja
Tendencat e deri tani tregojnë se ikja po vazhdon edhe në vitin 2025. Shumë gjermanë po preferojnë vende të tjera evropiane si Polonia apo Rumania, duke mos ndjekur vetëm destinacionet tradicionale si Zvicra apo Austria. Largimi prek jo vetëm qytetarët me kualifikime të ulëta, por edhe profesionistë të lartë, të cilët kërkojnë perspektiva më të mira dhe kushte më të favorshme për jetesë dhe zhvillim.
Pensionet dhe destabilizimi i qeverisë
Situata bëhet edhe më serioze për ekonominë gjermane për shkak të pakës së konsensusit politik mbi paketën e pensioneve. Grupi parlamentar i CDU/CSU ka hedhur poshtë kërkesën për të ndaluar paketën dhe për ta rishikuar, ndërkohë që të rinjtë e CDU kërcënojnë se nuk do ta votojnë.
Paketa parashikon pensionin aktiv, ku pensionistët mund të punojnë dhe të fitojnë deri në 2,000 euro pa tatime, për të adresuar mungesën e punëtorëve të kualifikuar dhe për të përmirësuar gjendjen e pensionistëve. Megjithatë, për shkak të kostove të larta afatgjata, ka shumë mosmarrëveshje mbi këtë paketë dhe mbi nivelin e pensioneve, aktualisht në 48% të rrogave.
Ekspertët paralajmërojnë se mosmarrëveshjet mbi pensionet, bashkë me largimin masiv të gjermanëve, mund të rrezikojnë vetë koalicionin qeverisës dhe të shkaktojnë një destabilizim serioz të ekonomisë dhe politikës gjermane.
Gjermania, një nga ekonomitë më të fuqishme në Europë, po përballet me sfida të paprecedenta: ikja e qytetarëve, tensionet politike dhe një sistem pensioni të diskutueshëm. Pasojat e këtyre tendencave nuk do të ndihen vetëm brenda vendit, por edhe në nivel europian dhe global.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
