Nga Redi Minga:
Prej ditës së djeshme, rrjetet sociale janë mbushur me zëra që flasin për një “Juntë Prokurorësh” që po instalohet në Shqipëri. Disa e quajnë shpresë, disa dritë në fund të tunelit, disa tjetër shpëtim nga regjimi kriminal që po e zhyt vendin çdo ditë e më thellë në të zi.
Por e vërteta është shumë më e hidhur, shumë më e njohur dhe shumë më e vjetër sesa duan disa ta pranojnë.
Prokurorët – 35 vite aleatë të pushtetarëve, jo të popullit
Le ta themi troç: prokurorët dhe politikanët shqiptarë kanë 35 vite që hanë, pijnë, firmosin, mbyllin sytë dhe ndajnë fitimet bashkë.
Nga e majta në të djathtë, nga qeveritë e radhës tek opozitat e rreme, prokuroria ka qenë gjithmonë mburojë e elitave dhe shkop druri për qytetarët.
A ka ndonjë politikan të madh që ka përfunduar realisht në burg?
A ka ndonjë oligark që ka llogari të mbyllura?
A ka ndonjë peshk të madh që është goditur ndonjëherë?
Jo! Asnjë!
Sepse prokurorët nuk kanë luftuar korrupsionin – prokurorët kanë menaxhuar korrupsionin.
Iluzioni i Juntës – Mashtrimi i Rradhës
Tani dalin disa e thonë: “po vjen Junta e Prokurorëve”, “po instalohet drejtësia e hekurt”, “po marrin pushtetin teknokratët e ndershëm”.
Këto janë përralla për naivë, për ata që pas 35 vitesh shkatërrim ende besojnë te shpëtimi nga brenda sistemit që vetë ka krijuar katastrofën.
Sistemi i drejtësisë shqiptare është po ai i vitit ‘92, po ai i vitit ‘97, po ai i vitit 2005, po ai i 2013, po ai i sotmi – një arkitekturë e projektuar të mos prekë kurrë krye-korrupsionin, por të ruajë strukturën politiko-mafioze që mban vendin peng.
Më poshtë mund të lexoni:
Junta e prokurorëve nuk është shpresë.
Është mirazhi i radhës që Mafia Politike i ofron popullit për ta mbajtur të zbutur.
“Goditjet” e ditës së djeshme – sinjale apo spektakël?
Po, pati arrestime. Po, pati vendime. Po, pati lëvizje.
Por a janë këto reale? A janë këto të sinqerta? A janë këto shkëputje nga regjimi?
Apo janë thjesht fasada e radhës për të mbrojtur qeverinë nga shpërthimi popullor?
Sepse historia na ka treguar se:
- kur qeveria bie në panik, prokuroria bën spektakël;
- kur populli zjarrmohet, hidhen disa kokrra sheqerlesh “drejtësie”;
- kur skandalet dalin jashtë kontrollit, përdoren disa kukulla për të shpëtuar kokat e vërteta.
Ndaj, shqiptarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm: jo çdo arrestim është fitore, jo çdo vendim gjykate është shpresë, jo çdo lëvizje është çarje.
Shqiptarëve u duhet drejtësi, jo Junta e Gënjeshtërt
Shqipëria nuk ka nevojë për Juntë prokurorësh.
Shqipëria ka nevojë për drejtësi të vërtetë, të pastër, të pavarur, që nuk ka shokë, ortakë dhe darka me politikanë.
Dhe këtë drejtësi nuk e sjellin ata që kanë 35 vite që mbulojnë krimet e pushtetit.
Nuk e sjellin ata që kanë firmosur moshetimet.
Nuk e sjellin ata që kanë mbyllur dosje.
Nuk e sjellin ata që kanë ruajtur pandëshkueshmërinë.
Junta e Prokurorëve është një mit.
Realiteti është se sistemi po riciklon veten edhe një herë.
Mos u mashtroni!
Shqiptarët janë lodhur nga iluzionet. Janë lodhur nga “shpresa të reja”. Janë lodhur nga reforma të gabuara, institucione të shitura dhe premtime boshe.
Deri ditën që drejtësia shqiptare të mos jetë më pjesë e të njëjtit gang politik që ka vjedhur vendin për dekada, gjithçka që ndodh sot nuk është revolucion – është vetëm ndërrim rojesh te porta e të njëjtit burg politik.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
