Nga Silvana Begaj:
Një shqiptare në mërgim, por me shpirtin në Shqipëri.
Drejtuar: Qeverisë Shqiptare.
Si një shqiptare që e do Shqipërinë, më gëzon zemra për çdo nismë që synon zhvillimin e vendit.
Çdo projekt që mund të ringjallë fshatin, të sjellë jetë në malet tona, të krijojë punë dhe shpresë, padyshim që meriton vëmendje, madje edhe entuziazëm.
Por po aq sa më gëzon ideja e zhvillimit, më shqetëson mënyra si shpesh ai kërkohet të arrihet: me nxitim, pa transparencë, me një arrogancë institucionale që harron njerëzit për të cilët supozohet të punojë.
Kryeministri, me të njëjtin inat dhe padurim që dikur kërkoi “hartat” nga bashkitë, do të duhej të kërkonte me të njëjtin ngulm edhe pse Shqipëria po boshatiset; pse fshatrat mbeten pa dritë, pa rrugë, pse të rinjtë ikin dhe pse korrupsioni nuk po ndalet.
Në vend që të kërkohen zgjidhje për plagët e vendit, hapen sërish plagë të vjetra me forma të reja.
Po promovohet si “zgjidhje për zonat malore dhe të braktisura” një projekt që mban të njëjtën mjegull ligjore që dikur, me famëkeqin Ligj 7501, na la me gjyqe pa fund, tituj të mbivendosur dhe vëllavrasje në emër të pronës.
Sot, nën petkun e “zhvillimit”, shteti po e centralizon pushtetin dhe po anashkalon bashkitë.
Vendimet merren larg terrenit, larg njerëzve që e njohin çdo pëllëmbë toke me emër, histori dhe djersë.
Në terren flitet për projekte dhe investime miliona eurosh, por pa asnjë sqarim se si do zbatohen dhe kush do përfitojë prej tyre.
Shumëkush beson, me të drejtë, se do përfundojnë sërish te të njëjtat duar që zaptuan bregdetin, lumenjtë dhe pyjet.
Sipas BIRN, kjo nismë mund të nxisë konflikte sociale, pasi parashikon që bashkitë të kalojnë tokë publike apo private te investitorët, ndërsa banorët etiketohen si “posedues jopronarë”.
Dhe këtu qëndron rreziku i vërtetë: ligji nuk përcakton qartë kush është pronar dhe kush përdorues.
Pronari mbetet një hije me dokumenta në dorë, që endet në zyrat e shtetit pa gjetur drejtësi.
Kjo nuk është reformë – kjo është një kaos i institucionalizuar.
Ndërkohë, Shqipëria po zbrazet.
Fshatrat heshtin, shtëpitë rrënohen, rinia largohet – jo vetëm nga varfëria, por nga mungesa e besimit.
SPAK është kthyer në kryefjalën e çdo dite, por paratë vazhdojnë të mbeten të pagjetura.
Dhe ndërsa korrupsioni lulëzon, Shqipëria varfërohet edhe më shumë.
Megjithatë, qeveria flet për “zhvillim”, pa ndërtuar më parë besim, drejtësi e garanci për jetesën.
Flasin me emra të mëdhenj dhe përgjegjësi të mëdha, por çdo veprim të çon në të njëjtin përfundim:
Fati i Shqipërisë dhe i shqiptarëve po shkruhet nga e njëjta dorë.
Zonat e braktisura nuk ringjallen me konferenca, por me njerëz që duan, punojnë dhe mbrojnë tokën.
Nuk ka zhvillim pa shqiptarë, pa ata që e mbjellin, e ruajnë dhe e trashëgojnë vendin me dashuri.
Dhe pa shqiptarë, s’ka Shqipëri.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
