Nga Redaksia:
Një hetim i përbashkët i The New Statesman, Lighthouse Reports dhe Democracy for Sale ka zbuluar lidhjet e forta mes Tony Blair Institute for Global Change (TBI) dhe miliarderit amerikan Larry Ellison, themelues i kompanisë gjigante Oracle.
Aleanca Blair – Ellison
Ish-kryeministri britanik Tony Blair është shfaqur në shumë forume duke predikuar fuqinë transformuese të inteligjencës artificiale (AI) dhe nevojën që qeveritë të përqafojnë këtë teknologji. Në një samit në Dubai, Ellison bëri thirrje që shtetet të unifikojnë të dhënat e qytetarëve, duke përmendur si shembull të dhënat shëndetësore të NHS. Blair e përkrahu menjëherë këtë vizion.
Vetëm dy javë më vonë, TBI publikoi një raport që rekomandonte krijimin e një Biblioteke Kombëtare të të Dhënave në Britani – një ide që përkon në mënyrë të habitshme me interesat e Oracle.
Dhurata që ndryshuan gjithçka
Nga viti 2021, Fondacioni Larry Ellison ka dhuruar më shumë se 257 milionë paund për TBI. Këto financime e shndërruan institutet në një organizatë gjigante, me mbi 900 punonjës në 45 shtete. Në të njëjtën kohë, Oracle ka përfituar kontrata me qeverinë britanike me vlerë mbi 1.1 miliard paund.
Sipas ish-punonjësve të TBI, këto fonde e kanë transformuar kulturën e institutit: nga një organizatë e fokusuar në reforma qeverisjeje, në një makineri që shpesh promovon teknologjitë e Oracle, edhe në vende ku prioritetet kryesore janë varfëria dhe nevojat bazë.
Kritikat dhe rreziqet
Ekspertë të pavarur paralajmërojnë për një formë kapjeje të politikave publike nga interesat e një miliarderi privat.
Rreziku kryesor është varësia nga Oracle: vendet hyjnë në marrëveshje fillimisht të lira, por më pas përballen me kosto shumë të larta.
Në vitin 2021, Ruanda kërkoi të largohej nga shërbimet e Oracle, duke i quajtur tarifat e kompanisë të papërballueshme.
Disa punonjës të TBI pranojnë se kritikat ndaj Oracle dhe rreziqet e AI janë fshirë ose zbutur në raportet zyrtare të institutit.
Mohimi i akuzave
TBI mohon se bën lobim për Oracle dhe thotë se financimet nga Ellison janë të “izoluara” nga puna e përditshme e institutit. Por dokumentet dhe dëshmitë e siguruara nga gazetarët tregojnë se kufiri midis vizionit të Blair për AI dhe interesave të Oracle është tepër i paqartë.
Ky hetim tregon se ndërsa Tony Blair promovon AI si shpresë për zhvillim global, përfituesit kryesorë mund të jenë kompani si Oracle dhe një rreth i ngushtë miliarderësh. Ndërkohë, popujt rrezikojnë të humbasin privatësinë dhe kontrollin mbi të dhënat e tyre.
Hetimi i plotë është publikuar nga The New Statesman dhe Lighthouse Reports më 26 shtator 2025.
Lajmi për projektin Diella në Shqipëri nuk është thjesht një nismë teknologjike e zakonshme. Ai lidhet drejtpërdrejt me planin e globalistëve të rinj për të instaluar një sistem mbikqyrjeje dhe kontrolli total ndaj qytetarëve. Zgjedhja e Shqipërisë si terren eksperimental nuk është rastësi: vend i vogël, i dobët politikisht dhe ekonomikisht, i kapur nga një qeveri që i bindet strukturave ndërkombëtare pa kushte.
Nëse doni ta kuptoni pse agjencia/instituti i Tony Blair eksperimentin e parë e bëri me Diellën në Shqipëri, shikoni videon më poshtë.
Larry Ellison ka kohë që financon institutin e Tony Blair, dhe tashmë e thotë hapur, sidomos mbasi bleu Tik-Tok, që dëshiron centralizimin e të dhënave të çdo individi dhe një mbikqyrje totale, duke hequr lirinë individuale.
Ja në fjalët e tij:
“Qytetarët do të sillen në mënyrën më të mirë të mundshme sepse ne vazhdimisht po vëzhgojmë dhe regjistrojmë gjithçka që po ndodh.”
Ndërkohë, Michael Shellenberger, një gazetar shumë i respektuar, e shpjegon qartë që:
“Pasi qeveria të kombinojë të dhënat tuaja personale, bankare dhe të votimit nën një identifikim të vetëm dixhital, ajo do të shtojë informacionin e mediave sociale dhe të vaksinave. E njëjta gjë vlen edhe për identifikimin e vërtetë në SHBA. Kompleksi Industrial i Censurës ishte provë gjenerale për identifikimin dixhital.”
Në fakt, midis kësaj dhe centralizimit monetar (Crypto & Bitcoin), që po shtynë miliarderët e epokës dixhitale, dhe çfarë shpjegohet më lartë, qartë kupton se këta janë globalistët e rinj. Kjo ka qenë arsyeja pse shumë prej tyre kanë punuar për shkatërrimin e globalistëve të Davos, ku hyn dhe George Soros.
Dhe nëse shkatërrimi i perandorisë Sorosiane mund të ishte problemi më i madh për Edi Ramën, kini parasysh se me Tony Blair në krahë, Rama po bëhet vegël e globalistëve të rinj, dhe ju, pra populli, do vazhdoni të jeni kavie eksperimentale për ‘New World Order’. /Burimi: New Statesman
Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.