Nga Redaksia PatriotikMedia.al
Nëse ka diçka që e ka lodhur shqiptarët më shumë sesa pushteti i gjatë dhe arroganca e qeverisë Rama, është opozita që gjithmonë shkon vonë – kur gjithçka është shkatërruar. Rasti më i fundit, ai i Thethit, është një tjetër dëshmi se sa e shkëputur është opozita shqiptare nga realiteti dhe hallet e njerëzve të thjeshtë.
Prej javësh, prej muajsh, është folur e paralajmëruar për prishjet selektive dhe brutale të objekteve turistike në Theth. Një zonë që përfaqëson jo vetëm trashëgiminë kulturore dhe natyrore të Shqipërisë, por edhe një nga të paktat oaze të turizmit të vërtetë shqiptar. E megjithatë, asnjë përfaqësues i opozitës nuk ishte aty kur fadromat nisën punën, kur banorët protestonin, kur lotët e njerëzve rridhnin mbi rrënojat e investimeve të jetës së tyre.
Tani shfaqen kamerat. Tani shfaqen zyrtarët. Tani bëhen statuse Facebook-u. Por tani është vonë.
Pse nuk bind më ky teatër?
Sepse çdo shqiptar e di që opozita e sheh hallet e popullit vetëm kur janë bërë lajme. Askush nuk guxon të ndalojë fadromat. Askush nuk përplaset realisht me qeverinë. Asnjë njeri nuk mbron qytetarët kur janë vetëm.
Ky teatër post-dëmi është bërë model funksional i një opozite që ka harruar të jetë opozitë. Shkojnë në Theth pasi Thethi është shkatërruar. Shkojnë në banesa pasi janë rrafshuar. Shkojnë në burgje pasi njerëzit janë torturuar. Shkojnë në rrugë pasi protesta është shuar.
Dhe pastaj pyesin: “Pse nuk na mbështet populli?”
Thethi, simbol i tradhtisë së dyfishtë
Çfarë ndodhi në Theth nuk është vetëm një abuzim i radhës nga një qeveri që prej kohësh ka humbur çdo ndjeshmëri sociale. Është edhe një tradhti e rëndë e opozitës ndaj banorëve të zonës, ndaj sipërmarrësve që kanë investuar pa ndihmën e shtetit, ndaj shqiptarëve që ende besojnë se mund të jetojnë dhe punojnë në vendin e tyre.
Në vend që opozita të ndërhynte në kohë, të ngrinte zërin përpara fadromave, të ndërkombëtarizonte kauzën, të thërriste banorët dhe shoqërinë civile përpara tragjedisë, ajo heshti deri në momentin kur gjithçka ishte bërë hi e pluhur.
Kjo nuk është opozitë, kjo është makijazh pas varrimit
Populli nuk ka nevojë për një opozitë që shkon për të bërë “homazhe” mbi rrënoja. Ka nevojë për një opozitë që ndalon krimin në kohë reale, që është në terren jo për të bërë selfie, por për të marrë barrikadën mbi shpinë.
Dhe nëse nuk kuptohet ky mesazh, atëherë opozita e sotme nuk ka më të ardhme. Sepse shqiptarët nuk i hanë më këto skena false. Ata shohin, kuptojnë, dhe e kanë të qartë se kush është me ta dhe kush kujtohet për ta vetëm kur kamerat ndezin dritën.
Thethi sot është viktimë jo vetëm e një pushteti arrogant, por edhe e një opozite pa bosht. Një opozitë që shkon kur dëmi është bërë, që flet kur heshtja nuk ka më kuptim, dhe që mashtron veten se me teatër dhe foto do të rikthejë besimin e humbur.
Por populli nuk është më ai i dikurshmi. Tashmë, shqiptari e kupton mirë se kush i qëndron pranë në ditë të vështira, dhe kush thjesht vjen për t’i shtrënguar dorën mbi rrënojat që i lanë në vetmi.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.