9 Aug 2025, Sat

Fushata e Ramës kundër qumështit të Fshatit – Një urdhër që rrënon Fermerët dhe Promovon Oligarkinë Industriale …

Nga Vladimir Prifti:

Një tjetër urdhër i beftë i Kryeministrit Rama ka shkaktuar tronditje në tregun e produkteve të bulmetit në vend. Në emër të “kontrollit të sigurisë ushqimore”, është ndërmarrë një fushatë që godet drejt për së drejti qumështin e fshatit, produktet artizanale të djathit dhe fermerët e vegjël shqiptarë, që për vite kanë qenë e vetmja alternativë për shumë familje që kërkojnë produkte natyrale.

Kujt i shërben ky urdhër?

Sipas urdhrit të ri, çdo produkt bulmeti që qarkullon duhet të shoqërohet me faturë dhe të vijë nga subjekte të regjistruara – duke përjashtuar automatikisht shumicën e fermerëve, të cilët nuk janë të përfshirë në rrjetin e faturimeve tatimore. Kjo nuk është thjesht një masë teknike, por një goditje direkte ndaj:

Minimarketeve dhe dyqaneve të lagjes, që furnizoheshin me qumësht e djathë fshati

Qytetarëve të zakonshëm, që preferonin produktet natyrale ndaj atyre industriale

Vetë fermerëve, që nuk kanë as mundësitë, as infrastrukturën për t’u bërë “fabrika me kasë fiskale”.

Ndërkohë, fabrikat e mëdha të qumështit, të lidhura me rrjetet e mëdha tregtare dhe me strukturat afër pushtetit, vazhdojnë të punojnë lirshëm. Jo vetëm që shesin produkte të dyshimta, por çmimet e tyre janë më të larta, duke e detyruar qytetarin shqiptar të paguajë më shumë për më pak cilësi.

Qumështi i pluhurit vs qumështi i nënës shqiptare

Të gjithë e dimë tashmë që qumështi i prodhuar në shumë fabrika përmban qumësht pluhur, stabilizues artificialë dhe konservantë, ndërsa djathi është shpesh një përzierje kimike që s’ka lidhje me djathin e vërtetë të fshatit. Vetë AKU ka pasur raste kur ka bllokuar produkte industriale për shkelje të përmbajtjes.

Atëherë, pyetja shtrohet hapur:

A do të detyrohemi të hamë dhe pimë çfarë na imponon qeveria, apo do kemi të drejtën të zgjedhim produktin që duam – nga fshati, natyral dhe i pastër?

Tatimet për të vegjlit, mburojë për të mëdhenjtë

Kjo masë është një tjetër dëshmi e politikës së qeverisë për të mbytur biznesin e vogël, duke favorizuar oligarkinë industriale që sot kontrollon gjithçka – nga ndërtimi, te ushqimi dhe media. Fermërët, që as kanë kasë fiskale, as lidhje me sistemin tatimor të ndërlikuar, përjashtohen automatikisht.

Në vend që të ndihmohen të formalizohen, ata përjashtohen.
Në vend që të kontrollohen fabrikat për përbërje të rrezikshme, goditen burrat dhe gratë e thjeshta të fshatit që milin lopët me dorë.

Fatura? Po. Por edhe analizë laboratorike!

Nëse qeveria kërkon që çdo litër qumësht të shoqërohet me faturë, atëherë le të nisë urgjentisht edhe kontrollin e përbërjes së produkteve të fabrikës. Jo vetëm faturë, por edhe analizë!

Le të bëhen publike përbërjet reale të djathërave dhe qumështit të supermarketeve!

Le të njoftohen qytetarët se çfarë po konsumojnë!

Fatura për fermerin, mbrojtje për fabrikën – ky është “shteti” i Rilindjes!

Ky është realiteti: urdhri i qeverisë nuk ka lidhje me cilësinë. Ai ka të bëjë me futjen e tregut të ushqimit në dorën e pak vetëve, ashtu siç ndodhi me naftën, ndërtimin, farmacitë, dhe tani – edhe me ushqimin.

Në këtë fushatë, qeveria nuk po mbështet cilësinë, por po shfaros konkurrencën. Dhe viktima është qytetari shqiptar – që do hajë më shtrenjtë, më keq, dhe pa alternativë tjetër përveç “djathit të partisë”.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *