Nga Rebeca Crespo – gaceta.es – Përkthyer nga PatriotikMedia.al
Lëvizja ndërkombëtare “jeshile” nuk mjaftohet më vetëm me vendosjen e kufizimeve ekonomike: tani ajo i drejtohet drejtpërdrejt atyre që vënë në pikëpyetje narrativën e saj. Në raportin më të fundit mbi të drejtat e njeriut dhe ndryshimet klimatike, paraqitur në qershor nga Relatorja Speciale Elisa Morgera, Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së akuzon industrinë e karburanteve fosile — dhe ata që përhapin mesazhet e saj — se përhapin “dezinformim klimatik” dhe “pengojnë” veprimin politik global, duke i kërkuar shteteve masa për të luftuar këtë ndikim.
Dokumenti, me titull “Urgjenca për të çfosilizuar ekonomitë tona” (The imperative of defossilizing our economies), argumenton se prodhimi dhe konsumimi i karburanteve fosile janë të papajtueshme me respektimin e të drejtave të njeriut. Përtej kërkesës për eliminimin e këtyre karburanteve brenda dekadës së ardhshme, raporti denoncon hapur strategjitë e komunikimit të industrisë fosile, të cilat i përshkruan si një formë dezinformimi që dëmton të drejtat e njeriut.
Raporti përshkruan se “për më shumë se gjashtë dekada, kompanitë e karburanteve fosile kanë zhvilluar fushata për të kundërshtuar shkencën klimatike, për të diskredituar mbrojtësit e mjedisit dhe për të ndikuar në opinionin publik dhe politikat publike”, duke pohuar se këto strategji kanë vonuar veprimin klimatik “me pasoja të rënda për të drejtat e njeriut”. Po ashtu, denoncon reklamat për karburantet fosile në mediat tradicionale dhe në rrjetet sociale si pjesë e të njëjtit problem.
Si pasojë, Morgera i bën thirrje shteteve që të ndalojnë reklamimin e karburanteve fosile dhe të kundërshtojnë “dezinformimin” klimatik në çdo fushë. Edhe pse raporti nuk përmend qartë ndëshkime penale, gjuha e tij e paraqet “skepticizmin” klimatik — dhe përhapjen e tij — si një kërcënim ndaj të drejtave të njeriut që shtetet kanë për detyrë ta eliminojnë.
Ky raport përfshihet në një prirje shqetësuese të OKB-së: transformimin e mendimeve ndryshe në vepra penale, nën etiketën e “dezinformimit”. Në praktikë, rekomandimet e Këshillit të të Drejtave të Njeriut legjitimojnë politika censure dhe kufizime të lirisë së shprehjes për ata që nuk përshtaten me narrativën zyrtare.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.