Presidenti rus, Vladimir Putin, u ka përcjellë si presidentit Donald Trump, ashtu edhe zyrtarëve iranianë, mbështetjen e tij për një marrëveshje bërthamore që ndalon plotësisht pasurimin e uraniumit në Iran, sipas burimeve të afërta me ato bisedime që kanë folur për Axios.
Pse ka rëndësi kjo
Për vite me radhë, Rusia ka qenë aleati kryesor diplomatik i Iranit në çështjen bërthamore, duke mbrojtur publikisht të drejtën e Iranit për të pasuruar uranium. Megjithatë, pas luftës së fundit 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit, Putin ka adoptuar një qëndrim shumë më të ashpër në mënyrë jo publike.
Bisedimet pas kuintave
Moska i ka bërë thirrje Teheranit të pranojë një marrëveshje të “pasurimit zero”, sipas tre zyrtarëve evropianë dhe një zyrtari izraelit të njohur me çështjen.
Dy nga këto burime thanë se Rusia madje e ka informuar qeverinë izraelite për qëndrimin e Putinit ndaj programit bërthamor iranian. “E dimë se kjo është ajo që Putin u tha iranianëve,” deklaroi një zyrtar i lartë izraelit.
Putin gjithashtu e ka shprehur këtë qëndrim javën e kaluar gjatë telefonatave me Trump dhe presidentin francez Emmanuel Macron.
Situata aktuale
Sulmet e fundit nga Izraeli dhe SHBA kanë dëmtuar ndjeshëm objektet bërthamore të Iranit, megjithëse mbetet e paqartë nëse ndonjë nga centrifugat iraniane ka mbijetuar. Megjithatë, është e mundur që disa rezerva të jenë ruajtur diku tjetër.
Presidenti Trump ka bërë të qartë se synon një marrëveshje të re bërthamore me Iranin. Sipas burimeve të afërta, nëse rifillojnë negociatat në javët në vijim, një nga kërkesat kryesore të SHBA-së do të jetë ndalimi i plotë i pasurimit të uraniumit në territorin iranian. Megjithatë, Irani ka këmbëngulur historikisht që duhet të ruajë të drejtën për pasurimin e uraniumit në çdo marrëveshje.
Intriga
Putin dhe zyrtarë të tjerë rusë ua kanë përcjellë disa herë zyrtarëve iranianë mbështetjen për një marrëveshje “me pasurim zero” gjatë javëve të fundit.
“Putini do të mbështeste një skenar pa pasurim uraniumi. Ai i inkurajoi iranianët të marrin parasysh këtë opsion për të lehtësuar negociatat me SHBA-në. Iranianët u përgjigjën se nuk do ta merrnin në konsideratë,” tha një zyrtar i lartë evropian me njohuri të drejtpërdrejta mbi çështjen.
Pika e përplasjes
Qëndrimi i Putinit është veçanërisht i habitshëm duke pasur parasysh mbështetjen e rëndësishme që Irani i ka dhënë Rusisë gjatë luftës në Ukrainë, duke përfshirë furnizimin me qindra dronë sulmues dhe raketa tokë-tokë.
Gjatë dhe pas luftës 12-ditore, Irani është ndjerë i zhgënjyer që Rusia nuk i ofroi mbështetje të konsiderueshme përveç disa deklaratave publike.
Detajet teknike
Rusia ka bërë të qartë, si publikisht ashtu edhe privatisht, se nëse arrihet një marrëveshje, ajo do të ishte e gatshme të tërhiqte uraniumin e pasuruar nga Irani. Sipas burimeve, Moska do të angazhohej të furnizonte Teheranin me uranium të pasuruar në nivelin 3.67% për centrale bërthamore dhe sasi të vogla uraniumi me përqindje 20% për reaktorin kërkimor të Teheranit dhe për prodhimin e izotopeve bërthamorë.
Hapat e ardhshëm
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, ka zhvilluar bisedime me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, për të eksploruar mundësinë e rifillimit të negociatave bërthamore.
Fillimisht ishte planifikuar një takim në Oslo në ditët në vijim, por si pala iraniane, ashtu edhe Witkoff, e kanë zbehur këtë ide dhe po shqyrtojnë një vend tjetër për zhvillimin e bisedimeve të ardhshme.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.