9 Aug 2025, Sat

Elon Musk themelon “Partinë Amerikane” – Shpresë për liri apo hije të rrezikshme mbi demokracinë?

Nga Redaksia:

Elon Musk, manjati i teknologjisë dhe njeriu më i pasur në botë, shpalli zyrtarisht më 5 korrik 2025 krijimin e “America Party” – një parti të re politike që, sipas tij, ka për mision të “rikthejë lirinë dhe të luftojë korrupsionin e sistemit”. Lajmi u bë publik përmes një postimi në X (ish-Twitter), pasi shumica e ndjekësve në një sondazh të organizuar nga vetë Musk votuan për krijimin e një force të re politike jashtë dy partive tradicionale.

“Ju kërkuat një parti të re, dhe tani e keni! Sot lind Partia Amerikane, për të rikthyer lirinë tuaj,” – deklaroi Musk me retorikë të fortë.

Por ajo që nisi si një premtim për reformë, shumëkush po e sheh me frikë të thellë si një manovër për pushtet të pakufizuar, në një kontekst kur vetë Musk është përplasur me Trumpin dhe ka marrë pozicione gjithnjë e më populiste.

A po lind një lider autoritar nën petkun e teknologjisë dhe lirisë?

Fotoja që qarkulloi në rrjet, ku Elon Musk shfaqet duke përshendetur si Benito Mussolini dhe Adolf Hitler, mund të duket i ekzagjeruar në vështrim të parë. Por pyetja që ngrihet është shumë serioze:
A po krijon Elon Musk një parti për të përballuar elitën globaliste, apo po përpiqet të ndërtojë një kult personaliteti në stilin e diktatorëve të shekullit XX?

Ai ka nën kontroll: median (platforma X), teknologjinë (Tesla, SpaceX, Starlink), opinionin publik (me 180+ milion ndjekës), dhe tani kërkon edhe pushtet politik të drejtpërdrejtë.

Disa analistë paralajmërojnë se kjo është formula klasike për autoritarizëm modern, ku teknokracia dhe populizmi kombinohen për të prodhuar liderë që ngjajnë më shumë me “Ducen” e viteve ‘30 sesa me një reformator demokratik.

Pse Musk po lufton Trumpin? Luftë për lirinë apo për fronin?

Pasi mbështeti pjesërisht republikanët në vitet e fundit, Musk është përplasur ashpër me Trumpin, sidomos pas një ligji shpenzimesh që ai e quajti “akt tradhtie ndaj taksapaguesve”. Por krijimi i partisë së tij shihet nga disa si hakmarrje politike, dhe nga të tjerë si një sulm frontal për të marrë vetë lidershipin e krahut të djathtë amerikan.

Nëse ai e përdor këtë forcë politike për të ndëshkuar opozitën konservatore dhe për të pastruar kundërshtarët nga skena, atëherë rreziku për një devijim drejt autoritarizmit bëhet real.

Mesazhi për shqiptarët

Kjo ngjarje nuk duhet parë si një spektakël amerikan, por si një alarm për të gjitha shoqëritë, përfshirë edhe Shqipërinë. Historia ka treguar se kur njerëzit vendosin shpresat te një njeri i vetëm, në vend që të ndërtojnë institucione të forta, përfundimi është diktaturë, jo liri.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *