9 Aug 2025, Sat

Ra Enveri… po Rama kur do bjerë? Apo kur të ikin të gjithë?

Nga Redi Minga – për PatriotikMedia.al

Shqiptarët përjetuan 45 vite diktaturë, dhe megjithatë gjetën forcë që ta rrëzojnë. Në vitin 1990, u hapën ambasadat, njerëzit hypën mbi mure dhe u hodhën në det vetëm që të iknin nga ferri komunist. Sot, në vitin 2025, historia po përsëritet – por me kostum të ri: Ra Enveri, por Rama s’po bie dot. Dhe ndoshta do bjerë vetëm kur të mos mbetet më njeri në këtë vend.

Edi Rama e filloi si modernist, por përfundoi si autokrat me ngjyrime bohemësh. Shqipëria sot nuk ka më diktaturë me mitraloz, por ka diktaturë me oligark, me propagandë, me dosje të ngrira dhe me SPAK që çon pas hekurave vetëm ata që s’janë pjesë e sistemit.

Enveri bënte bunkerë nga frika e armikut imagjinar. Rama bën kulla, bunkerë betoni për oligarkët realë, që marrin me PPP çdo copë dhe. Dhe ndërsa Enveri mbylli kufijtë që të mos iknin shqiptarët, Rama i ka hapur aq shumë, sa njerëzit ikin edhe me gomonet që përdornin për të ardhur dikur afganët.

Në Shqipërinë e vitit 2025, në shumë fshatra ka më shumë kafshë se njerëz. Në qytetet e mëdha ka më shumë ndërtime sesa vende pune. Ka më shumë SPAK sesa drejtësi. Dhe ndërkohë, “lideri ynë botëror” Edi Rama ecën krenar nëpër samite ndërkombëtare, flet për Ukrainën, për Iranin, për klimën globale – por harron që në Tiranë s’ka drita, dhe në Kukës s’ka bukë.

Po a ka më turp se kjo? Një popull që përmbyt rrjetet sociale me flamurin ukrainas, por nuk ka ujë në çesmë? Një qeveri që derdh miliona për strategji dixhitale, por të rinjtë i lë pa të ardhme?

Të rinjtë shqiptarë sot nuk kërkojnë luks, kërkojnë normalitet. Kërkojnë një punë pa pasur nevojë të përulen. Kërkojnë një shkollë që të mos jetë supermarket diplomash. Kërkojnë një mjek që të të trajtojë, jo të të presë në dorë sa ke në xhep.

Por në Shqipërinë e Ramës, askush nuk jeton nga mundi. Vetëm nga lidhjet. Nga partia. Nga oborrtarizmi.

Prandaj po ikin. Të gjithë. Nga veriu në jug. Me autobus, me makinë, me aeroplan. Jo për të bërë jetë luksi, por për të shpëtuar veten. Sepse këtu vetëm një njeri është i pazëvendësueshëm: Edi Rama. Dhe ky është problemi.

Ra Enveri sepse njerëzit s’kishin më frikë. Po Rama? Ai mbështetet jo te frika, por te përbuzja ndaj këtij populli. E ka kuptuar që shqiptarët durojnë gjithçka – poshtërimin, varfërinë, vjedhjen, talljen – mjafton t’u hedhë pak show televiziv e pak propagandë në TikTok.

Por historia ka treguar se një ditë, edhe populli më i duruar shpërthen. Edhe shqiptari më i qetë ngrenë zërin kur s’ka më ku të shkojë. Dhe Rama s’ka për të ikur vetë. Por do ikë, njësoj si Enveri – kur populli të zgjohet dhe t’i thotë: boll më!

Shënim: kush është Redi Minga
Ai është shkrimtar, analist dhe redaktor i Patriotikmedia.com, Patriotikmedia.al si dhe i Stopfakealbania.com. Origjina e tij është nga qyteti i Tiranes, ai u zhvendos në Zvicer për të punuar për një media Zviceriane, sot ai punon për Patriotik Media Albania dhe që atëherë ka vazhduar të punojë në rolin e analistit ku ka bërë shumë analiza dhe editoriale në disa portale Zviceriane, ai ka shkruar gjithashtu edhe për disa portale amerikane.

Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *