Nga Redaksia
Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, po përjeton një krizë të thellë infrastrukturore dhe sociale që po rëndon jetën e çdo qytetari dhe sipërmarrësi të vogël. Mbi 1,000 probleme të dokumentuara prej vitesh qëndrojnë të pazgjidhura: mungesa e ujit të pijshëm është pjesë e përditshmërisë në shumë zona, rrugët janë të dëmtuara rëndë, ndotja dhe grumbullimi i plehrave janë kthyer në një epidemi urbane. Këto probleme janë realitet i pamohueshëm, që dëshmojnë dështimin katastrofik të qeverisjes lokale dhe shtetërore.
Në këtë situatë të rënduar, kur qytetarët përballen me vështirësi të mëdha dhe kushtet bazë të jetesës mungojnë, Bashkia e Tiranës ka vendosur të ngarkojë bizneset e vogla të akomodimit — qiratë ditore, bujtinat familjare, dhe B&B-të — me taksa të reja. Sipas vendimit nr. 158, datë 26.12.2019, këto biznese duhet të paguajnë tarifa fikse për pastrimin dhe infrastrukturën arsimore, pavarësisht se asnjë shërbim efektiv nuk ofrohet në këto zona.
Kjo taksë e re është një goditje e rëndë për pronarët e këtyre bizneseve të vogla, që përballen me konkurencën e madhe dhe kushte të vështira ekonomike. Ata po i shtohet barrë fiskale, ndërkohë që infrastruktura dhe shërbimet publike që duhet të mbulojnë këto taksa mungojnë totalisht. Për shembull, ndërkohë që Tirana vuan nga mungesa e ujit dhe rrugë të shkatërruara, këta biznesmenë duhet të paguajnë taksa të ngjashme me ato të hoteleve dhe moteleve të mëdha, pa marrë asnjë shërbim në këmbim.
Dhe ndërkohë që këto taksa rëndojnë sipërmarrësit e ndershëm, Tirana vetë është zhytur në një gjendje që nuk mbahej mend që nga viti 1998.
Pisllëku dhe kaosi urban kanë pushtuar çdo lagje. Trotuaret janë të bllokuara nga kafenetë, ambulantët me fruta dhe mallra kineze, dhe parkimet e dyfishta. Rrugët janë përplot me mbeturina, trotuaret janë të uzurpuara, dhe çdo ditë shtohen njerëzit… bashkë me plehrat.
Ka kohë që Tirana ka humbur çdo element të qytetarisë: pastërtinë, arkitekturën, estetikën dhe kulturën urbane. Lulishtet e mbetura janë kthyer në stacione tymi e pakujdesie, ndërsa taksat — që rriten për të vegjlit — zhduken në një pus të errët që askush nuk e di ku shkon.
Në vend të pastrohet qyteti, është vetë politika që është zhytur në pisllikun e korrupsionit. Bashkia është ndarë në dy klane: njerëzit besnikë të Erion Veliajt kundër servilave të rinj të Edi Ramës. Dallavere sherre, intriga dhe përçarje, ndërkohë qyteti i Tiranës ka kohë që po bëhet i pajetueshëm.
Ndalohet kopjimi dhe shpërndarja pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.