Nga Redi Minga – Analist Politik
Ndërkohë që Shqipëria përmbytet nga varfëria, padrejtësia dhe korrupsioni institucional, kryeministri Edi Rama shfaqet në një nga eventet më luksoze të elitës globaliste: dasma e Aleks Sorosit – djalit të miliarderit George Soros, njeriut që ka financuar pa fund axhenda të errëta në Ballkan, përfshirë projektet antikombëtare në Tiranë e më gjerë.
Një ceremoni ku të ftuarit ishin zgjedhje e rafinuar e elitës klintoniane: Bill dhe Hillary Clinton, Kamala Harris, Nancy Pelosi, Chuck Schumer dhe të tjerë. Pra, njerëz që e kanë kthyer politikën amerikane në një platformë për të manipuluar vende të vogla si Shqipëria për interesa të mëdha.
Po Rama ç’kërkonte aty?
Nuk është hera e parë që Edi Rama shfaqet si kukull dekorative në ambiente ku përzihen interesat ndërkombëtare me përfitimet personale. Por ndryshe nga herët e tjera, këtë herë bëhet fjalë për një dasmë private, jo për një samit shtetëror, jo për një forum zyrtar. A ishte aty si përfaqësues i shtetit shqiptar? Apo si mik personal i Aleks Sorosit?
Kush ia pagoi biletën Edi Ramës?
Në një vend ku qytetarët ndëshkohen për 1,000 lekë të papaguara në taksa, është mëse normale të kërkosh llogari: kush ia pagoi biletën Edi Ramës? A ishte me charter shtetëror? A e pagoi vetë? Apo është Sorosi që sponsorizon udhëtimet e atyre që ka në xhep?
Asnjë deklaratë nga Kryeministria. Asnjë faturë. Asnjë përgjigje për publikun shqiptar që financon çdo lëvizje të shefit të qeverisë. Dhe media e Tiranës? Hesht! Sepse për ta, Sorosi është shenjt. Sepse aty mbyllen gojët dhe hapen llogaritë.
Axhenda e Sorosit dhe Shqipëria si eksperiment
Le të mos harrojmë që George Soros përmes “Open Society” ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në reformën në drejtësi, në “shkatërrimin” e partive opozitare tradicionale dhe në rrënimin e identitetit kombëtar përmes axhendave multikulturore dhe antikristiane. Rama është një nga ushtarët më të bindur të kësaj strukture ndërkombëtare që financon destabilizimin kombëtar në emër të “demokracisë”.
Shqiptarët paguajnë, Rama bëhet krushk
Kjo nuk është më çështje thjesht shpenzimesh. Kjo është çështje dinjiteti kombëtar. Si është e mundur që një kryeministër i një vendi të rrënuar nga korrupsioni, që shpërdoron miliona euro në koncesione e PPP, shkon në një dasmë miliarderësh – dhe populli nuk ka as të drejtë të dijë se kush ia financoi qokën?
Në çdo vend normal, një vizitë e tillë do shoqërohej me transparencë. Në Shqipëri, ajo fshihet pas selfie-ve dhe propagandës së Instagramit.
A është Shqipëria koloni e Sorosit?
Nëse Rama nuk e sqaron publikisht këtë çështje, përgjigjja është po.
Sepse një popull që nuk pyet më përse liderët e tij darkojnë me ata që për dekada kanë minuar sovranitetin, është një popull i dorëzuar. Dhe një qeveri që nuk jep llogari për asnjë cent të shpenzuar jashtë vendit, është një regjim që nuk i përket më qytetarëve të vet.
Shënim: Kush është Redi Minga
Ai është shkrimtar, analist dhe redaktor i Patriotikmedia.com, Patriotikmedia.al si dhe i Stopfakealbania.com. Origjina e tij është nga qyteti i Tiranes, ai u zhvendos në Zvicer për të punuar për një media Zviceriane, sot ai punon për Patriotik Media Albania dhe që atëherë ka vazhduar të punojë në rolin e analistit ku ka bërë shumë analiza dhe editoriale në disa portale Zviceriane. Biles ai ka shkruar gjithashtu edhe për disa portale amerikane.
Ndalohet kopjimi dhe shpërndarja pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.