19 Jun 2025, Thu

Ballkani në një kryqëzim: Kur SHBA-ja tërhiqet, gjarpri Serb pret në hije … (Video)

Nga Redaksia

Deklarata e fundit e Christopher Hill, ish-ambasador amerikan në Serbi, që “SHBA-ja nuk do të ndërhyjë më si dikur në Ballkan – Kosova dhe Serbia duhet t’i zgjidhin vetë problemet”, është më shumë sesa një qëndrim diplomatik. Ajo është një sinjal i qartë dhe i fortë se politika amerikane po kalon në një fazë të re të tërheqjes nga ndërhyrja aktive në rajon, duke lënë një boshllëk të rrezikshëm që mund të shfrytëzohet nga forcat destabilizuese.

Hill nuk është një zë periferik – ai është një prej arkitektëve të qasjes amerikane në Ballkan gjatë dy dekadave të fundit. Prandaj fjalët e tij kanë peshë strategjike dhe nuk duhen marrë lehtë. Ajo çfarë ai thotë është se era e mbështetjes pa kushte po merr fund, dhe se tani shqiptarët – në Shqipëri e Kosovë – duhet të marrin përgjegjësi të plota për sigurinë dhe të ardhmen e tyre.

Apo tërhiqet Amerika nga pozicioni i saj aktiv në rajon, duke lënë një vakuum të rrezikshëm ku forcat destabilizuese, të vjetra dhe të reja, janë gati të lëvizin?

Video eshte marre nga Radio Evropa e Lire

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë gjithnjë e më të tendosura, të mbushura me mosbesim, heshtje strategjike dhe përçarje nën rrogoz. Ndërkohë, Serbia, me mbështetjen e heshtur të Moskës dhe një strategji të mirëmenduar për rikthimin e influencës së saj në rajon, po pret momentin e duhur për të goditur, për të përçarë, për të vënë në lëvizje ingranazhet e vjetra të destabilizimit.

Dhe ky moment mund të vijë shumë shpejt. Në veri të Kosovës tensionet nuk kanë pushuar asnjëherë. Retorika nacionaliste në Beograd është gjithnjë më e fortë, ndërsa në Prishtinë dhe Tiranë mungon një koordinim serioz dhe i qëndrueshëm përballë kërcënimit serb. Shqipëria duket më shumë e përqendruar në heshtjen e vet politike, ndërsa Kosova po lufton e vetme për të ruajtur integritetin territorial dhe përballë presioneve nga Perëndimi për “kompromis të detyruar”.

Në këtë klimë, nuk është rastësi që edhe në Tiranë, Edi Rama prej kohësh përçon një linjë të rrezikshme, duke thënë se “këtu nuk ka më amerikanë, këtu vendos unë.” Ironizimi me figura si “Noc Rroku”, për t’i treguar shqiptarëve se SHBA nuk është më faktori kryesor në vendimmarrje, është një taktikë e rrezikshme për të ushqyer idenë e një sovraniteti të rremë – ndërkohë që ndikimi i vërtetë po zëvendësohet nga interesa të tjera, shpesh herë të errëta.

Historia e Ballkanit na mëson se kur fuqitë e mëdha largohen, vakuumi pushtohet menjëherë nga ambicie të vjetra. Tërheqja graduale e SHBA-së nga Ballkani nuk do të sjellë më shumë stabilitet – përkundrazi, ajo rrezikon të ringjallë fantazmat e viteve ‘90. Pa një prani aktive amerikane, pa një bosht të fortë Tiranë-Prishtinë dhe pa një aleancë të vërtetë me faktorët perëndimorë, rajoni mund të rrëshqasë drejt destabilitetit të ri, këtë herë në heshtje dhe pa alarmin e dikurshëm.

Ndaj, është koha për zgjuarsi. Është koha për një platformë të re shqiptare, ku Shqipëria dhe Kosova të flasin me një zë të vetëm në politikën e jashtme dhe të mos bëhen pre e lojërave të huaja apo interesave personale. Qartësia strategjike duhet të zëvendësojë retorikën boshe. Sepse ndërsa ne përçahemi në studio televizive dhe tryeza politike, gjarpri serb nuk fle. Ai pret. Dhe ka shumë pak kohë për të humbur.

Ndalohet kopjimi dhe shpërndarja pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *