Nga Avokate Diana D. Fetahu
Në kohën e mbretit Nemrud, jetonte edhe Profeti Ibrahim (Abraham), i njohur për guximin e tij për t’iu kundërvënë padrejtësive që mbretëria e kohës i ushqente me egërsi dhe frikë.
Edhe pse i vetëm, qëndrimi i tij ishte i drejtë dhe i palëkundur – ndryshe nga masa që heshti dhe u pajtua me të keqen.
Thuhet se një ditë, mbreti Nemrud ndezi një zjarr aq të madh sa flakët e tij arrinin kupën e qiellit, dhe hodhi në të Ibrahimin për ta djegur.
Kur një milingonë e dëgjoi këtë ngjarje, mori një pikë ujë dhe nisi ta bartë drejt zjarrit, me qëllimin për ta shuar.
Një tjetër milingonë, kur e pa, e përqeshi dhe e pyeti:
– A mendon vërtet se me atë pikë ujë do ta shuash zjarrin?
Përgjigjja e milingonës ishte e thellë dhe domethënëse:
– E di që me këtë pikë ujë nuk do mund ta shuaj zjarrin… Por të paktën e di anën e kujt mbaj.
Ky është mesazhi që dua të përcjell në këto ditë.
Thelbi nuk qëndron te fuqia e veprimit, por te vetëdija e qëndrimit.
Rëndësi ka jo vetëm të mos jesh pjesë e padrejtësisë, por të bësh gjithmonë dallimin: të dish anën e kujt mban.
Dhe ta mbash gjithmonë anën e drejtësisë, të njerëzores.
Ndalohet kopjimi dhe shpërndarja pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.