Nga Redaksia
Në një kohë kur shumë të rinj shqiptarë mendojnë se martesa është një vazhdim natyral i dashurisë dhe shpeshherë kërkojnë të bashkëjetojnë duke u strehuar tek shtëpia e prindërve, është koha të flasim ndershmërisht: Martesa nuk është as çlodhje, as rehati, por një akt i pjekurisë dhe përgjegjësisë.
Po, dashuria është e bukur. Është emocioni që të frymëzon, të lartëson, të jep ndjenjën e përkatësisë. Por vetëm dashuria nuk mjafton për të ndërtuar një martesë të vërtetë. Martesa nuk është një strehë që ndërtohet mbi sakrificat e prindërve. Është një tempull që ndërtohet mbi mundin, punën dhe përkushtimin e dy të rinjve që vendosin të ecin bashkë në jetë.
Sot, shumë të rinj zgjedhin të “provojnë” martesën brenda shtëpisë së nënës e babait. Dhe kur lodhen nga puna, presin që nëna të bëjë gjellën. Kur kanë stres, kërkojnë qetësinë e babait. Dhe nëse gjërat nuk ecin siç duan, fajin e ka “mjedisi”. Por a është kjo martesë?
Jo, kjo është një iluzion komoditeti, një zgjatje e fëmijërisë nën maskën e rritjes. Dhe pastaj çuditemi kur këto lidhje përfundojnë në ndarje, në drama, në zhgënjime. Sepse askush nuk mësoi të përballojë jetën. Vetëm e shijuan, për aq kohë sa kishte kush ta mbulonte faturën.
Nëse ti je një djalë apo vajzë që mendon të martohesh – pyete veten:
A jam gati të paguaj qiranë vetë?
A di të organizoje një buxhet?
A jam gati të zgjohem herët për të shkuar në punë dhe më pas të kujdesem për një shtëpi?
A jam gati të përballem me sfida pa ikur tek nëna e babai për çdo problem?
Martesa nuk është bashkëjetesë me sponsorizim. Martesa është përveshje mëngësh. Është përballje me jetën. Është strehim që e ngrini vetë, tullë mbi tullë. Është vendimi për të mos përdorur prindërit si mburojë, por si shembull që ju frymëzon të qëndroni fort.
E kuptoj – jetesa është e vështirë. Qiraja është e shtrenjtë. Por në vend që të kërkoni strehim tek shtëpia ku u rritët, bashkohuni dhe luftoni për të ndërtuar shtëpinë tuaj. Sepse vetëm atëherë do e kuptoni se çfarë do të thotë vërtet të jesh burrë dhe grua. Vetëm atëherë dashuria juaj do të kalojë në një nivel tjetër – nga fjalë të ëmbla, në sakrifica reale.
Prindërit kanë bërë pjesën e tyre. Ju rritën, ju ushqyen, ju dhanë dashuri. Por nuk janë të detyruar të mbajnë martesat tuaja mbi supe. Mos e kthe martesen në një pazar interesash. Ktheje në një sfidë ku ti dhe njeriu yt ecni përpara, bashkë, me dinjitet.
Nëse vërtet doni njëri-tjetrin, do gjeni mënyrën. Mund të jetë një dhomë e vogël, mund të jenë darka të thjeshta, por do jetë jeta juaj. Dhe nuk ka asgjë më të bukur sesa të ndërtosh nga hiçi dhe të arrish çdo gjë me forcat tuaja.
Mesazhi është i thjeshtë, por i fortë:
Të duash fëmijën nuk do të thotë t’i japësh gjithçka, por t’i mësosh të fluturojë. Të duash njëri-tjetrin nuk do të thotë të strukeni në komoditet, por të guxoni të përballeni me jetën.
Mos kërkoni dashuri me pjatë gati. Ndërtoni dashurinë tuaj në një shtëpi që mban emrin tuaj.
Nga sot, filloni të jeni të pjekur. Se ndryshe, dashuria bëhet e lodhur. Dhe një martesë e lodhur, shpejt kthehet në një histori që përfundon para kohe.
Ndalohet kopjimi dhe shpërndarja pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.