19 Jun 2025, Thu

Nga Redi Minga:

Ajo që më shtyu fuqishëm të shkruaj këtë artikull është fotoja e një fëmije që qarkullon në rrjetet sociale, një ëngjell duke mbajtur në duar flamurin kuq e zi, duke mbështetur me gjithë zemër Kombëtaren Shqiptare në ndeshjen e djeshme Shqipëri–Serbi. Ky imazh duket i thjeshtë, por i fuqishëm, sepse përmbledh në vetvete një emocion të papërshkrueshëm: krenarinë, shpresën dhe lidhjen e thellë me atdheun, sidomos në një moment kaq të rëndësishëm dhe të ndjeshëm për ne si komb.

Një fëmijë që mban flamurin, ndërsa një popull po zhduket nga duart e një anti-shqiptari të quajtur Edi Rama

Në këtë foto ka më shumë Shqipëri sesa në çdo fjalim politik, në çdo propagandë shtetërore dhe në çdo vizitë ambasadorësh. Një fëmijë i pastër, i veshur me fanellën kuqezi, mban flamurin kombëtar si amanetin e fundit që po na mbetet.

Ky nuk është thjesht një fëmijë. Është frymëmarrja e fundit e një populli që po shkon drejt shuarjes. Janë vitet e pafajshme që po presin një të ardhme që politika shqiptare, nën drejtimin e anti-shqiptarit Edi Rama, po e vret çdo ditë.

Një komb që po braktis Shqipërinë, ndërsa shikon me trishtim nga dritarja avionin që niset. Një tokë që po mbetet pa njerëz. Një flamur që valëvitet gjithnjë e më pak mbi troje shqiptare, sepse djemtë e vajzat tona janë larguar – jo nga dëshira, por nga dhimbja. Nga mungesa e shpresës. Nga padrejtësia. Nga krimi që sot mban kravatë qeveritare.

Sot, Shqipëria nuk po vuan nga një armik i jashtëm. Sot, Shqipëria po vdes nga brenda. Po vdes nga një njeri që e urren thellë identitetin shqiptar, që e shet çdo ditë tokën tonë, burimet tona, krenarinë tonë. Po vdes nga një regjim që do të zbrazë vendin për t’ua shitur të huajve si resort turistik. Për të pastruar paratë e oligarkëve, ndërsa shqiptarët e ndershëm rrinë në radhë për bukën e gojës.

Dhe në këtë realitet të hidhur, një fëmijë na kujton kush jemi. Na kujton se Shqipëria nuk është e Edi Ramës. Shqipëria është e këtij fëmije. E brezave që ende nuk kanë pasaportë të huaj. Që ende nuk e kanë mësuar fjalën “azil”. Që ende besojnë se mund të rriten këtu, në këtë tokë të bekuar që po e përbuzin politikanët tanë.

Shqiptar, mos ik! Mos hesht! Mos prano!

Mos ia dorëzo vendin tënd armikut të brendshëm. Mos e lejo që Shqipëria të mbetet një kujtim folklorik. Bëhu një ushtar i armatosur i këtij flamuri. Ngrihu për fëmijën tënd. Ngrihu për shpirtin tënd. Sepse nëse ne sot dorëzohemi, nesër nuk do të ketë më kush të mbajë këtë flamur.

Ku ka si ti, o Shqipëria ime! Por ku do të jesh ti nesër, nëse sot heshtim të gjithë?

PatriotikMedia.al – zëri i shqiptarëve që nuk e lënë Atdheun në duart e armiqve të kombit!

Shënim: Kush është Redi Minga:

Ai është shkrimtar, analist dhe redaktor i Patriotikmedia.com, Patriotikmedia.al si dhe i Stopfakealbania.com. Origjina e tij është nga qyteti i Tiranes, ai u zhvendos në Zvicer për të punuar për një media Zviceriane, sot ai punon për Patriotik Media Albania dhe që atëherë ka vazhduar të punojë në rolin e analistit ku ka bërë shumë analiza dhe editoriale në disa portale Zviceriane. Biles ai ka shkruar gjithashtu edhe për disa portale amerikane.

Ndalohet kopjimi dhe shpërndarja pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *