Nga Redi Minga
Në një kohë kur e djathta shqiptare ka nevojë për unitet dhe moral, largimi i Evi Kokalarit nga krahët e Sali Berishës ngre pyetje serioze për drejtimin e Partisë Demokratike dhe për cilësinë e lidershipit që i ka mbetur opozitës shqiptare.
Evi Kokalari, një zë i guximshëm që solli një frymë të re konservatore nga diaspora amerikane, nuk u tërhoq sepse “u lodh”, por sepse pa nga brenda një sistem të kalbur që refuzon të ndryshojë. Ajo pa një PD që edhe pse u shpall si “Rithemelim”, në fakt rithemeloi po të njëjtat skema të vjetra klienteliste, pa meritokraci dhe pa moral politik.
- Manipulimet brenda PD – Thika pas shpine për çdo idealist
Kokalari denoncoi publikisht manipulimin e zgjedhjeve në Forumin Rinor të PD-së, ku një grup i lidhur me Belind Këlliçin – me heshtjen e Sali Berishës – rrëmbeu votën e lirë dhe shpresën e rinisë. Si mund të shpresojë një popull te një opozitë që gënjen vetveten dhe më pas i kërkon besimin qytetarëve?
- Sulmet mafioze dhe heshtja e Berishës – Toleranca ndaj devijimit
Kur Evi u sulmua nga “grupi gangsteresh”, siç i cilësoi ajo, Berisha nuk reagoi. Ky ishte momenti kur idealistja e rritur me frymën e ligjit dhe drejtësisë amerikane e kuptoi: edhe Rithemelimi ishte thjesht një iluzion për të mbrojtur një rreth të ngushtë interesash personale dhe politike.
- PD si pronë private – Zëvendësim i Ramës me një ‘Rama blu’
Evi Kokalari nuk heshti kur pa që PD po shndërrohej në një instrument mbrojtës të interesave të një klani, e jo më një parti që përfaqësonte vlerat e konservatorizmit dhe të lirisë. Ajo akuzoi publikisht Berishën se po përdorte PD-në për pazare personale dhe për të mbrojtur “djemtë e bindur” – jo për të ngritur një alternativë kombëtare ndaj regjimit të Edi Ramës.
- Kujt i shërben përjashtimi i Kokalarit?
Sot, kur e djathta ka nevojë për figura të pastra dhe ide të reja, largimi i Evi Kokalarit është një kambanë alarmi për çdo shqiptar që mendon se PD-ja është rruga e shpëtimit. Ajo nuk iku nga frika, por u largua me dhimbjen që një projekt për ndryshim u përdhos nga brenda, nga njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me të djathtën reale.
Koha e klaneve ka mbaruar – Opozita duhet të rilindë nga e para
Evi Kokalari tregoi se është një zë i lirë, dhe e vërteta e saj djeg për ata që janë mësuar të bëjnë pazare në emër të demokratëve. Rithemelimi pa reformim është mashtrim. Nëse opozita nuk pastrohet nga brenda, nuk ka asnjë shans të fitojë nga jashtë.
Në fund të ditës, historia do e kujtojë Evi Kokalarin si një idealiste që u përplas me murin e vjetër të hipokrizisë politike shqiptare – dhe pati guximin të flasë.
Shënim: Kush është Redi Minga:
Ai është shkrimtar, analist dhe redaktor i Patriotikmedia.com, Patriotikmedia.al si dhe i Stopfakealbania.com. Origjina e tij është nga qyteti i Tiranes, ai u zhvendos në Zvicer për të punuar për një media Zviceriane, sot ai punon për Patriotik Media Albania dhe që atëherë ka vazhduar të punojë në rolin e analistit ku ka bërë shumë analiza dhe editoriale në disa portale Zviceriane. Biles ai ka shkruar gjithashtu edhe për disa portale amerikane.
Ndalohet kopjimi dhe shpërndarja pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.