9 Aug 2025, Sat

Mall pa kthim – Zemra që rreh larg Atdheut …

Nga Një shpirt emigranti

Ka mijëra shqiptarë të shpërndarë nëpër botë – në rrugë që nuk i çojnë më në shtëpi, në qytete që nuk flasin gjuhën e nënës, në dhoma të ftohta ku heshtja zë vendin e zërit të familjes. Emigrantë të heshtur, me plagë që nuk duken, por që dhembin përditë. Shumë prej tyre janë djem e vajza që janë larguar dhe sot nuk dihet më ku janë – janë humbur në rrugët e botës, në kërkim të një jete më të mirë, por ndoshta kanë humbur edhe vetveten.

Jemi bërë si jetimë nëpër botë. Shqiptari, kudo që të shkojë, ndjen mungesën si plagë të hapur – mungesën e nënës, që dikur e priste me sofrën e shtruar dhe me fjalën e ngrohtë: “U ngope të keqen nëna?” Sot, kur hamë bukën e ditës, shpesh e hamë me lot në sy, sepse kujtojmë atë që nuk është më, ose që është larg dhe nuk mund ta përqafojmë.

Na mungon fjala e babës – ajo fjalë burrërore, që ndoshta s’e tregonte me përqafim, por e ndjeje që vinte nga zemra. Na mungojnë shakatë e motrave e vëllezërve, na mungon zëri i tyre që mbushte shtëpinë me jetë. Na mungon dhe zënka e vogël e përditshme, sepse tani gjithçka është heshtje.

Na mungon qyteti i fëmijërisë. Ai fshat a lagje ku rritëm shpirtin dhe kujtimet tona. Na mungon era e dheut pas shiut, zhurma e dasmave, tingulli i këmbanës së kishës apo i ezanit në xhami. Na mungon gjithçka që dikur e merrnim si të zakonshme.

Por nuk jemi të zakonshëm – jemi njerëz me shpirt të madh, që dimë të durojmë, që dimë të luftojmë, edhe kur bota na mbyll dyert. E megjithatë, jemi lodhur. Sepse jeta në emigracion nuk është ajo që mendojnë të tjerët. Është e vërtetë që ndonjëherë kemi një çati mbi kokë dhe bukë mbi tryezë, por s’e kemi ngrohtësinë e njerëzve tanë. Nuk na pyet njeri nëse jemi mirë vërtet. Nuk na thotë njeri: “Hajde, bir, të pushojë pak shpirti.”

Kemi nevojë të qajmë, të flasim, të tregojmë dhimbjen që nuk na e kupton askush. Sepse brenda nesh jeton një mall i pashuar, që s’ka as gjumë, as pushim. Një mall që të përvëlon çdo herë që sheh një plak në rrugë që i ngjan babait, çdo grua që i ngjan nënës tënde, çdo fëmijë që të kujton veten të vogël në rrugicat e vendlindjes.

Ky shkrim është për ty, emigrant shqiptar – kudo që je. Është për ata që ndihen të humbur, por nuk janë vetëm. Është për ata që nuk kanë harruar kush janë. Për ata që nuk e flasin më përditë shqipen, por e kanë në zemër. Për ata që e shohin flamurin shqiptar në ndonjë derë lokali të huaj dhe ju mbushet syri me lot.

Ne jemi të njëjtë, edhe pse larg. Një popull që vuan në heshtje, por nuk dorëzohet. Një popull që e ka rrënjën thellë, edhe kur e ka jetën larg. Një popull që kur thotë “më mungon”, nuk flet vetëm për një person – flet për një vend, për një jetë, për një ëndërr që vazhdon të jetojë brenda nesh.

Dhe ndoshta, një ditë, do të kthehemi. Në vendin që na do, edhe pse shpesh s’na priti. Sepse shpirti kurrë nuk e braktis tokën ku është formuar. Dhe shqiptari, edhe i lodhur, edhe i mërguar, kurrë nuk e harron se nga ka ardhur.

Ndalohet kopjimi dhe shpërndarja pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *