Nga Redaksia
Gjermanët folën qartë. Votuan kundër Olaf Scholzit dhe qeverisë së tij të dështuar, me një mesazh që nuk linte vend për interpretime: “Shporru”. E majta ra. SPD u rrëzua. Scholz ra. Por siç ndodh rëndom në demokracitë e kapura nga globalizmi i Sorosit dhe pazaret e Brukselit, vota nuk do të thotë më asgjë.
Pas këtij “revolucioni elektoral” ku populli gjerman kërkoi ndryshim, çudia ndodhi: Olaf Scholz, që doli nga dera, u fut përsëri nga dritarja – këtë herë jo si kryetar i partisë fituese, por si bashkëqeverisës i një skeme të re që e rikthen në pushtet pa mandat popullor. Dritaren ia hapi Friedrich Merz, lideri i CDU-së, që për ironi u shpall si “shpresa e djathtë” e Gjermanisë, por po rezulton thjesht gardian i sistemit të vjetër.
Në vend të një ndryshimi real, gjermanët morën një rikonstruktim të së njëjtës godinë politike. Merz, i cili për vite ka ndërtuar karrierën e tij mbi “opozitarizmin” ndaj Scholzit dhe të majtës, në momentin e fitores zgjodhi t’i zgjasë dorën pikërisht Scholzit – jo si akt uniteti kombëtar, por si akt tradhtie ndaj vullnetit të popullit gjerman.
Ky është modeli i vjetër i Evropës së re, ku nuk ekzistojnë më fitues dhe humbës, por vetëm pazare të mbyllura në dhoma të errëta, larg syve të votuesve. Ku kancelarët nuk zgjidhen nga populli, por rikthehen në pushtet përmes marifeteve politike dhe presionit ndërkombëtar.
Friedrich Merz – konservatori i Sorosit?
Friedrich Merz, që për shumë gjermanë dukej si kundërpeshë ndaj socializmit të Scholzit, sot po shihet si pjesë e të njëjtës makineri: një “konservator” që nuk prek sistemin, por e rinovon atë sa herë i nevojitet elitës. Me një histori të gjatë lidhjesh me botën e financave, Merz është njeriu që i dhuron legjitimitet Scholzit edhe kur populli i ka dhënë fund.
Në vend që të shpartallonte sistemin, Merz po e ventilon atë, duke e bërë më të qëndrueshëm dhe më të vështirë për t’u rrëzuar në të ardhmen.
Çfarë po ndodh me “demokracinë”?
Një mesazh i qartë po dërgohet nga Berlini për të gjithë Evropën: vota nuk mjafton më për të ndryshuar pushtetin. Mund të votosh kundër qeverisë, mund ta turpërosh në zgjedhje, por ajo gjithsesi do të rikthehet, përmes kompromisit, trukeve dhe pazareve. Demokracia evropiane nuk është më përfaqësuese, por procedurale. Vullneti popullor nuk ka më asnjë fuqi ndaj vendimeve të elitave.
Kjo është edhe arsyeja pse shumë europianë po i drejtohen alternativave radikale. Ata e kanë kuptuar që sistemi është i ngujuar, i kapur, dhe se nuk ka më të majtë apo të djathtë, por vetëm një kastë që ndërrohet me radhë.
Gjermania është një paralajmërim për të gjithë ne. Edhe në Shqipëri, vota gjithnjë e më shumë po kthehet në një formalitet, një dekor që fsheh pazaret e vërteta të pushtetit. Scholz është simboli i një epoke që nuk ikën dot, sepse sistemi nuk e lejon. Dhe Merz? Thjesht roja që ia hap dritaren.
Ky artikull është pronë intelektuale e portalit PatriotikMedia.al. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, shpërndarja ose përdorimi i përmbajtjes pa leje të shkruar nga redaksia. Çdo shkelje do të ndiqet sipas ligjit për të drejtën e autorit dhe pronësinë intelektuale.
© PatriotikMedia.al