19 Jun 2025, Thu

Editorial: O Shqiptar, ke doni më shumë -Familjen apo Partitë …

Nga Redi Minga – Redaktor i PatriotikMedia.al

Për dekada me radhë, politika shqiptare ka funksionuar si një makineri premtimesh të rreme, që ushqehet me hallet e popullit dhe pasurohet mbi kurrizin e tij. Partitë, qofshin në pushtet apo opozitë, kanë ndërruar ngjyrat, por jo qëllimet. Dhe populli shqiptar ka mbetur aty ku ishte – i mashtruar, i zhgënjyer, i harruar.

Sot, shqiptarëve po u prishen shtëpitë që i kanë ndërtuar me mund, vite pas vitesh, gur mbi gur. Shtëpitë ku kanë rritur fëmijët, ku kanë plakur prindërit. Askush nuk i ka mbrojtur. As pushteti që i firmos urdhrat e as opozita që vetëm bën show në rrjete sociale.

Fëmijët tanë po burgosen për një cigare hashash, ndërkohë që bosët e drogës darkojnë me deputetët.

Njerëz të pafajshëm vdesin në burg për një fature të papaguar energjie ose sepse kundërshtuan një gjobë të padrejtë. Dhe reagimi? Një status në Facebook. Asnjë protestë, asnjë përballje, asnjë mbrojtje reale.

Po në Greqi? Aty Athina ndizet flakë për një djalë të vrarë. Shoqëria ngrihet, reagon, nuk pranon të heshtë. Në Shqipëri? Vetëm fjalë. Ne kemi humbur aftësinë për të reaguar. Dhe kjo është frika më e madhe e çdo pushteti – një popull që nuk reagon më, sepse është i lodhur, i thyer, i dorëzuar.

Por tani është koha të ndryshojmë. Jo me iluzione për shpëtimtarë të rinj, por duke marrë në dorë fatin tonë. Familja jonë është më e shenjtë se çdo flamur partie. E ardhmja e fëmijëve tanë vlen më shumë se çdo premtim elektoral. Të zgjohemi! Të mos presim më asgjë nga ata që s’kanë bërë kurrë asgjë për ne. Të reagojmë, të bashkohemi, të flasim, të mbrojmë njëri-tjetrin.

Sepse në fund, pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë:

O SHQIPTAR, KE DONI MË SHUMË – FAMILJEN APO PARTITË?

Shënim: Kush është Redi Minga

Ai është shkrimtar, analist dhe redaktor i Patriotikmedia.com, Patriotikmedia.al si dhe i Stopfakealbania.com. Origjina e tij është nga qyteti i Tiranes, ai u zhvendos në Zvicer për të punuar për një media Zviceriane, sot ai punon për Patriotik Media Albania dhe që atëherë ka vazhduar të punojë në rolin e analistit ku ka bërë shumë analiza dhe editoriale në disa portale Zviceriane. Biles ai ka shkruar gjithashtu edhe për disa portale amerikane.

Ndalohet kopjimi dhe shpërndarja pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *